Midis Evropës dhe “Botës Serbe”: Alarm nga Strasburgu për të ardhmen e vendit!
Nga Redaksia e Flaka
Draft-rezoluta e Parlamentit Evropian, e cila do të diskutohet më 8 korrik në Strasburg, është shumë më tepër se një dokument teknik i zakonshëm i BE-së. Ajo është një akt paralajmërues për Maqedoninë e Veriut, një thirrje alarmi që kërkon reflektim të thellë dhe përgjegjësi të menjëhershme politike. Raporti i eurodeputetit austriak Tomas Waitz nuk kursen fjalët: ndikimi destabilizues i konceptit të “Botës Serbe” është jo vetëm i dukshëm, por i institucionalizuar në strukturat e qeverisë aktuale në Shkup.
Në një kohë kur vendi ndodhet në një udhëkryq historik mes integrimit evropian dhe rikthimit të hijes së ndikimeve lindore, ky dokument është një pasqyrë tronditëse e realitetit që shpesh është mohuar nga qendra zyrtare e pushtetit. Kur eurodeputetët flasin për zhvatje të sovranitetit, për operacione armiqësore dhe për përfshirjen e tabloidëve serbë si zëdhënës të Kremlinit, nuk kemi më të bëjmë me teori konspirative – kemi të bëjmë me diagnozën e një sëmundjeje të rëndë që po infekton shtetin dhe institucionet e tij.
E rëndësishme është që ky dokument përmend edhe domosdoshmërinë për hapjen e arkivave të UDBA-s dhe KOS-it – një kërkesë e kahershme e shoqërisë civile dhe e subjekteve politike shqiptare. Sepse nuk mund të ketë ndërtim të një shteti demokratik pa pastruar fillimisht ndërgjegjen institucionale nga trashëgimia totalitare.
Zëri i shqiptarëve në këtë debat nuk mungon. Ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, e thotë troç: “Shteti është kthyer në një proksi të Botës Serbe”. Ai paralajmëron për kthimin e një modeli i-liberal të qeverisjes, që jo vetëm rrezikon rrugën drejt BE-së, por edhe rrënon parimet e Marrëveshjes së Ohrit, e cila është themeli i bashkëjetesës ndëretnike dhe i barazisë institucionale në vend.
Emërimi i Ivan Stoilkoviçit, një figurë e afërt me Aleksandar Vulin dhe me qarqet pro-Kremlinit në Beograd, në krye të Ministrisë për Sistem Politik, është më shumë se një provokim – është një deklaratë politike që synon të minojë çdo progres multietnik të arritur pas vitit 2001.
Në këtë kontekst, qëndrimi i Aleancës për Shqiptarët është i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Përshëndetja e draft-rezolutës nga kjo forcë politike është më shumë se një lëvizje opozitare – është një qëndrim shtetformues në mbrojtje të orientimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Kur lideri i saj, Arben Taravari, thotë se investimet e reja të VMRO-DPMNE-së janë në funksion të politikave serbe, ai nuk flet në mënyrë figurative, por mbi bazën e fakteve që po verifikohen nga raportet ndërkombëtare.
Kërcënimi nuk është vetëm për shqiptarët – është për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që besojnë në demokraci, në liri dhe në sundimin e ligjit. Ndaj kërkesa për bashkim të të gjitha forcave demokratike është më aktuale se kurrë. Lufta nuk është vetëm për vota apo mandate – është për orientimin strategjik të vetë shtetit.
Më 8 korrik, në Strasburg, do të flitet për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Por kjo e ardhme do të vendoset në Shkup. Dhe ajo nuk mund të ndërtohet mbi aleanca me ideologji të huaja, mbi nostalgji për UDBA-n, as mbi heshtjen ndaj rrënimit të barazisë qytetare.
Maqedonia e Veriut ka dy rrugë përpara: të zgjedhë Evropën dhe transparencën, apo të kthehet në një satelit të një bote autoritare që s’ka asnjë vend në të ardhmen tonë.
Zgjedhja duhet bërë tani. Dhe duhet bërë me guxim.
















