Milloshoski: Koha është që BDI të shkojnë në opozitë
Është koha që BDI të shkojë në opozitë, ka thënë Antonio Milloshoski, anëtar i KE-së së VMRO-DPMNE-së në paraqitjen e sontme në emisionin “Për apo kundër” në Tv Alfa, përcjell FLAKA.
Milloshoski komentoi deklaratat e liderit të BDI-së Ali Ahmeti se inxhinieri zgjedhore është bërë me rivotimin e vendvotimeve, duke theksuar se BDI-ja ka bërë inxhinieri zgjedhore me tentativën për bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale në rrethin e dytë.
“Të flasësh për inxhinieri zgjedhore nga një person i cili në raundin e dytë të votimit për zgjedhjet presidenciale, ditën si strukturë në BDI e nisi me bojkot të organizuar për të prishur censusn, kjo tashmë është inxhinieri zgjedhore”, theksoi ai.
Milloshoski shtoi se BDI e kanë humbur busullën, duke shtuar se Ahmeti është i ndikuar nga anëtarët e tjerë.
“Shihet se BDI-ja tashmë e ka humbur busullën e saj dhe është e qartë se Ahmeti është ndoshta në vitet e fundit më shumë i ndikuar nga Artan Grubi, Bujar Osamni dhe disa njerëz të tjerë të atij krahu biznesi sesa është nën ndikimin e më shumë njerëzve racionalë në BDI që zbatojnë një politikë konvencionale”, theksoi Milloshoski.
Njëkohësisht, ai theksoi se BDI-ja tashmë e ka thyer rregullin e koalicionit fitues me fitues, duke theksuar se BDI dhe Ahmeti duhet të përgatiten për një tranzicion paqësor dhe të civilizuar si në çdo vend evropian.
“Vetë parimet që BDI i imponoi në vitin 2016, pra vetë parimet që u shkelën, tani BDI nuk ka të drejtë t’i referohet asgjëje, prandaj mendoj se është mirë të përgatitemi për një tranzicion paqësor, të civilizuar si në çdo vend evropian”, tha ai.
I pyetur se kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se VMRO-DPMNE ka 61 deputetë, Milloshoski theksoi se për momentin partia ka 61 deputetë, por me rivotimin në njësinë zgjedhore 5 presin të kenë 11 deputetët, çka do ta çojë numrin në 62 deputetë.
“Po, është e saktë deklarata e Mickoski se në këtë moment VMRO-DPMNE ka konsoliduar 61 deputetë. Me rivotimin e së mërkurës dhe shansin real për të marrë deputetin e 11-të në njësinë e 5-të, VMRO-DPMNE tashmë do të konsolidojë 62 deputetë. Më pas vazhdojnë negociatat me koalicionin VLEN, i cili ka 13 deputetë, ka mundësi të fitojë edhe të 14-in. Dhe kur të përfundojnë ato negociata, mendoj se do të hapet mundësia e bisedimeve me partinë politike ZNAM”, thotë Milloshoski. FLAKA
















