Mozart, gjeniu i përjetshëm që ndryshoi historinë e muzikës
Sot shënohet përvjetori i lindjes së njërit prej gjenive më të mëdhenj të historisë së muzikës, Wolfgang Amadeus Mozart, kompozitorit që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e artit muzikor evropian dhe botëror.
Wolfgang Amadeus Mozart lindi në Salzburg dhe ishte më i vogli nga shtatë fëmijët e familjes Mozart, por vetëm ai dhe motra e tij Maria Anna, e njohur si Nannerl, mbijetuan. Talenti i tij i jashtëzakonshëm u zbulua shumë herët nga i ati, Leopold Mozart, violinist dhe pedagog muzike në oborrin e Salzburgut.
Që në moshën katërvjeçare, Mozarti filloi të kompozonte pjesë të shkurtra muzikore, ndërsa vetëm tetë vjeç shkroi simfoninë e tij të parë. Fëmijëria e tij u shënua nga turne të gjata nëpër Evropë, ku bashkë me motrën performoi në oborre mbretërore nga Vjena dhe Parisi deri në Londër e Amsterdam, duke u njohur nga afër me kompozitorët dhe rrymat muzikore më të rëndësishme të kohës.
Mozarti arriti një mjeshtëri të rrallë në të tri format kryesore të operës së shekullit XVIII: opera seria, opera buffa dhe Singspiel. Kryeveprat e tij operistike si Dasma e Figaros, Don Giovanni, Così fan tutte, Idomeneo dhe Flauti Magjik konsiderohen kulmi i operës evropiane dhe vazhdojnë të interpretohen në skenat më prestigjioze të botës.
Veçanërisht dekada e tij e artë në Vjenë (1781–1791) shënoi bashkëpunimin legjendar me libretistin Lorenzo Da Ponte, nga i cili lindën disa prej veprave më të rëndësishme në historinë e muzikës klasike.
Vitet e fundit të jetës së Mozartit ishin jashtëzakonisht produktive. Në këtë periudhë ai krijoi kryevepra si Simfonia nr. 40, Koncerti për klarinetë, Ave Verum Corpus dhe Requiem-in në Re minor, vepër që mbeti e papërfunduar në momentin e vdekjes së tij në vitin 1791. Po ashtu, ai kompozoi edhe dy opera madhore: Flauti Magjik dhe La clemenza di Tito.
Mozarti shpesh krahasohet me William Shakespeare-in për nga thellësia dramatike dhe universaliteti njerëzor i veprës së tij. Muzika e tij shpreh me mjeshtëri gëzimin, dhimbjen, ironinë dhe ndjeshmërinë njerëzore, duke mbetur po aq aktuale sot sa edhe në kohën e tij.
Më shumë se 260 vjet pas lindjes, trashëgimia e Wolfgang Amadeus Mozartit vazhdon të jetë e gjallë në koncerte, filma, letërsi dhe kulturën popullore, duke dëshmuar se gjenialiteti i tij është i përjetshëm.
Ariet dhe pjesët më të njohura të Mozartit
- “Non più andrai” – Dasma e Figaros
- “Madamina! Il catalogo è questo” – Don Giovanni
- “La ci darem la mano” – Don Giovanni
- “Soave sia il vento” – Così fan tutte
- “Der Vogelfänger bin ich ja” – Flauti Magjik
Flaka
















