OpenAI përmirëson marzhin, por humbjet rriten në 10.9 miliardë dollarë
OpenAI ka shënuar përmirësim të marzhit të saj operacional të rregulluar, por humbjet operative të kompanisë janë rritur në 10.9 miliardë dollarë, sipas dokumenteve të shqyrtuara nga gazeta amerikane “The Wall Street Journal”.
Marzhi operacional i rregulluar është përmirësuar në -109%, nga -150% sa ishte në tremujorin paraprak. Megjithatë, humbjet operative janë rritur nga 10.1 në 10.9 miliardë dollarë.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur investitorët po shqyrtojnë me kujdes kostot e larta të zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe qëndrueshmërinë financiare të kompanive që veprojnë në këtë sektor.
Në qendër të vëmendjes është edhe rivali i OpenAI, Anthropic, krijuesi i modeleve Claude, i cili po përgatitet për daljen në bursë. Kompania synon të ofrojë 825 milionë aksione, me çmim nga 70 deri në 78 dollarë për aksion, ndërsa do të tregtohet me simbolin “ANT”.
Sipas vlerësimeve, oferta mund t’i japë Anthropic një vlerësim deri në rreth 1.4 trilionë dollarë. Përveç ofertës publike, shtatë kompani të mëdha teknologjike – Google, Nvidia, AMD, Broadcom, Micron, Microsoft dhe TSMC – kanë rënë dakord të investojnë gjithsej 26 miliardë dollarë në aksione pa të drejtë vote.
Dalja e Anthropic në bursë shihet si një provë e rëndësishme për interesin e investitorëve ndaj kompanive të inteligjencës artificiale dhe për aftësinë e tyre për të përballuar kostot e mëdha të zhvillimit të kësaj teknologjie.
Flaka











