Regjistrimi digjital 2026 – ndërmarrje teknologjike apo prirje për manipulim të ri?
Nga: Redaksia Flaka
Deklarata e ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, për regjistrimin e parakohshëm digjital të popullsisë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2026, duhet parë jo vetëm si një lajm teknologjik, por si një sinjal që ngre shqetësime serioze për të ardhmen demografike dhe politike të vendit.
Në kontekstin e regjistrimit të vitit 2021, i cili tashmë është shpallur i papranueshëm nga Gjykata Kushtetuese për shkak të metodologjisë manipuluese që përjashtoi mijëra shqiptarë nga diaspora, çdo propozim për një regjistrim të ri duhet të kalojë përmes një procesi transparent, gjithëpërfshirës dhe të hapur për debat publik. Pa këtë, rreziku i ripërsëritjes së një skeme të tillë mbetet i lartë.
Digjitalizimi dhe modernizimi janë pa dyshim hapa përpara, por teknologjia nuk është neutrale. Në duar të gabuar, ajo mund të bëhet vegël për manipulim më të sofistikuar, për të fshehur të vërtetën dhe për të falsifikuar realitetin demografik. Kjo është ajo që shqiptarët në Maqedoni duhet ta kenë të qartë dhe të mos lejojnë që regjistrimi i ardhshëm të kthehet në një “masakër numerike”.
Pastrimi i bazave të të dhënave duhet të jetë një proces i ndershëm, që nuk shërben si pretekst për të fshirë diaspora dhe për të riprodhuar “banorë fantazmë”, siç ndodhi më parë me 132.000 persona të tillë në bazat administrative.
Mungesa e një konsensusi politik dhe mungesa e përfshirjes reale të diasporës në proces, është shqetësuese. Shqipëtarët kanë të drejtë të kërkojnë një regjistrim të drejtë, i cili nuk është thjesht një statistikë, por një element thelbësor i përfaqësimit të tyre politik dhe të drejtave që rrjedhin prej tij.
Në fund të ditës, regjistrimi nuk është vetëm një numërim – është pushtet dhe identitet. Dhe askush nuk duhet të ketë leje të marrë këtë pushtet me anë të manipulimeve, qoftë me laps, qoftë me serverë.
Vetëm një proces i hapur, i kontrolluar ndërkombëtarisht dhe i ndërtuar mbi parimet e drejtësisë dhe barazisë mund të sjellë besimin e qytetarëve dhe të forcojë demokracinë në Maqedoninë e Veriut.
Ndryshe, Shqipëtarët duhet të jenë të përgatitur që të qëndrojnë vigjilentë dhe të mos pranojnë të jenë viktima të një tjetër manipulimi statistikor.
Redaksia Flaka
Më shumë se një media – zëri i shqiptarëve për drejtësi dhe transparencë.
















