Shqiptarët sa romët, serbët në krye, dominim maqedonas në institucion për barazi

Flaka
Botuar nga Flaka 18 Qershor, 2025 17:46

Shqiptarët sa romët, serbët në krye, dominim maqedonas në institucion për barazi

Editorial nga Redaksia FLAKA

Institucionet që ekzistojnë për të ndërtuar ura mirëbesimi ndërmjet komuniteteve në një shoqëri shumëetnike si ajo e Maqedonisë së Veriut nuk janë vetëm formale – ato janë shtylla të paqes sociale dhe kohezionit qytetar. Por, kur këto institucione kthehen në instrumente për përjashtim dhe diskriminim, atëherë e gjithë arkitektura e bashkëjetesës del në rrezik.

Skandali i fundit me mënyrën selektive dhe të pabarabartë të ndarjes së fondeve nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, e drejtuar nga zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq, është dëshmi se sa lehtë mund të shkatërrohet ajo që është ndërtuar me mund dhe sakrificë shumëvjeçare.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat, janë financuar:

  • 29 projekte për shoqata maqedonase,
  • 5 për shoqata serbe,
  • 3 për romët,
  • dhe vetëm 3 projekte për shoqata shqiptare.

Këto numra nuk janë thjesht statistikë, por pasqyrë e një qasjeje të qëllimshme, të një politike që i kthen fondet publike në mjet për të ndarë, jo për të bashkuar. Për më keq, kjo ndodh nën drejtimin e një politikani që dihet publikisht për qëndrimet e tij anti-shqiptare dhe lidhjet e tij me qarqe që nuk e kanë për prioritet integritetin dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut.

Zotëri Stoilkoviq nuk është aty për të përfaqësuar vetëm komunitetin serb, por për të ruajtur dhe kultivuar harmoninë ndërmjet të gjitha komuniteteve në vend. Kur ai keqpërdor këtë pozitë për të financuar vetëm “të vetët” dhe për të margjinalizuar shqiptarët – komunitetin e dytë më të madh në shtet – atëherë nuk kemi të bëjmë me gabim administrativ, por me politikë të organizuar diskriminuese.

Ku është vizioni për një shtet qytetar? Ku është përgjegjësia e qeverisë që këtë ministri e ka në përbërje? Ku janë partnerët ndërkombëtarë që mbështesin paqen ndëretnike në vend? Heshtja është po aq e rrezikshme sa edhe veprimi.

Kujtojmë që ky dikaster që nga themelimi i tij ka qenë i drejtuar nga kuadro të partive shqiptare në pushtet. Është hera e parë që kjo ministri bie në duart e një politikani serb, dhe qëllimi tashmë është i qartë dhe i paprekur nga hipokrizia diplomatike: dëmtimi i indit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Zoti Stoilkoviq, i njohur për qëndrimet e tij anti-shqiptare dhe lidhjet me qarqe që nuk reflektojnë interesat strategjike të shtetit, po përdor një institucion ndërkomunitar për të thelluar përçarjet, përjashtimet dhe tensionet ndëretnike.

Me rëndësi është që kjo çështje të mos mbetet vetëm si një skandal mediatik i rradhës. Kërkohet hetim i plotë institucional, shqyrtim i menjëhershëm i vendimeve të dhëna, dhe ristrukturim i mekanizmave të ndarjes së fondeve, me garanci për transparencë dhe përfaqësim të drejtë të të gjitha komuniteteve.

Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive nuk është pronë e asnjë partie apo zëvendëskryeministri. Ajo është amanet nga Marrëveshja e Ohrit dhe nga përpjekja kolektive për një shtet ku askush nuk ndihet i përjashtuar. Ky amanet nuk duhet të shkelet. Sepse çdo shpërndarje e padrejtë – si kjo – është një gur më pak në themelet e bashkëjetesës. Dhe pa këto themele, gjithçka tjetër do të jetë iluzion.

279
SONDAZHI

Nëse nesër mbahen zgjedhjet, kush i fiton?

Flaka
Botuar nga Flaka 18 Qershor, 2025 17:46
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
279
SONDAZHI

Nëse nesër mbahen zgjedhjet, kush i fiton?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?