VLEN jashtë skenës, në hije të protokollit zyrtar
Koment Flaka
Inspektimi i punimeve të Korridorit 8 ishte një tjetër shembull i qartë se si VLEN-i duket vetëm kur mundohet të shfaqet, por realisht nuk ka peshë në vendimmarrje. Ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski, ministri Aleksandar Nikolloski, drejtori i rrugëve dhe e ngarkuara e SHBA-ve udhëhoqën inspektimin dhe folën përpara mediave, VLEN-i u përjashtua nga çdo mundësi për fjalë zyrtare.
Edhe pse në terren ishin zv/kryeministri Bekim Sali, deputeti Bekim Qoku dhe zv/ministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri, protokolli u bë pengesë e dukshmërisë së tyre. Në mediat maqedonase, VLEN-i nuk ekzistonte – vetëm deklaratat e zyrtarëve kryesorë. Vetëm mediat shqipe mundësuan që qytetarët të dinin çfarë kishte thënë VLEN-i pas konferencës, duke treguar se pa hapësirë të drejtë, roli i tyre real mbetet i padukshëm.
Deklaratat për Korridorin 8, që VLEN-i i prezantoi si “arterie strategjike” dhe “shans për zhvillim”, janë të kota kur nuk shoqërohen me veprime reale në vendimmarrje. Për qytetarët, këto fjalë nuk vlejnë asgjë kur VLEN-i nuk ka asnjë rol konkret në drejtim dhe çdo iniciativë bëhet pa ta. Në terren u duk qartë se projekti i rëndësishëm ecën pavarësisht VLEN-it, jo falë tij.
Në prapaskenë, përfaqësuesit e VLEN-it kërkuan nga protokolli i kryeministrit të u jepet mundësia për fjalë zyrtare, por përgjigjja ishte e prerë: agjenda ishte vendosur që të premten në mbrëmje dhe nuk mund të ndryshohej. Kjo refuzim tregon qartë se prezenca e VLEN-it ishte vetëm formale, pa asnjë hapësirë reale për të shprehur pozicionin ose për të kontribuar në komunikimin e projektit.
Ky episod nuk është vetëm një incident protokolli – është pasqyrë e politikës së tyre: prezenca e VLEN-it është thjesht simbolike, ndërsa ndikimi real dhe vendimmarrja mbeten në duart e të tjerëve. Në çdo projekt strategjik, VLEN-i është aut, duke treguar se sa pak e meritojnë vëmendjen që përpiqen ta marrin.
















