VMRO-DPMNE: Filipçe dhe LSDM të tregojnë nëse Macura ishte kriminel kur mundësuan hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, ka akuzuar kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, dhe partinë e tij për hipokrizi në qëndrimet lidhur me Alta Bankën dhe biznesmenin serb Davor Macura.
Në një konferencë për media, Manasievski kërkoi që Filipçe dhe LSDM të sqarojnë nëse Macura konsiderohej person me kapital të dyshimtë edhe në kohën kur, sipas tij, LSDM-ja dhe BDI-ja kishin mundësuar hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut.
Ai pretendoi se kompania e krushkut të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, sipas informacioneve publike, kishte zotëruar aksione në Stopanska Bankën në Manastir, të cilat më pas ia kishte shitur Davor Macurës dhe Alta Bankës.
“Filipçe dhe LSDM heshtin për këtë dhe nuk komentojnë nga frika ndaj BDI-së”, deklaroi Manasievski.
Ai e cilësoi si kontradiktor qëndrimin e Filipçes, duke pyetur pse në vitin 2023, kur sipas tij BDI-ja po e realizonte hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni, LSDM-ja nuk kishte ngritur shqetësime për kapitalin e bankës dhe pronarët e saj.
“Nëse sot për Filipçen Macura është kriminel dhe Alta Banka është bankë me kapital të dyshimtë, pse në vitin 2023, kur BDI-ja po e mundësonte hyrjen në Maqedoni, LSDM-ja bashkëpunonte? Pse atëherë Filipçe heshtte, ndërsa sot është kaq i zëshëm?”, u shpreh Manasievski.
Sipas tij, Filipçe po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për zhvillimet e së kaluarës.
Në përfundim, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së akuzoi Filipçen dhe LSDM-në se janë vënë në mbrojtje të BDI-së dhe Ali Ahmetit, duke kritikuar ashpër drejtimin e partisë opozitare.
Deklaratat dhe akuzat janë qëndrime të zëdhënësit të VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski. Flaka














