Prokuroria kërkon arrest shtëpiak për Artan Grubin
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ndryshuar qëndrim dhe ka propozuar që ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi të caktohet masë arresti shtëpiak, në vend të paraburgimit, njofton Gazeta Flaka
Sipas njoftimit, pas marrjes së informacionit se i dyshuari i dytë në lëndën për “Lotarinë Shtetërore”, ku dyshohet së bashku me edhe pesë persona të tjerë, është paraqitur vullnetarisht para organeve të ndjekjes dhe ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim, prokuroria do të vazhdojë procedurën me qëllim marrjen e vendimit prokurorial.
Me kërkesë të tij përmes mbrojtjes, Grubi gjatë ditës së sotme është paraqitur para prokurorit kompetent, ku ka kryer këqyrjen e dosjes së rastit. Për shkak të vëllimit të madh të materialit provues, këqyrja do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, pas së cilës do t’i mundësohet të japë mbrojtjen e tij.
Sa i përket masave për sigurimin e pranisë së tij në procedurë, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka propozuar zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe konfiskimin e pasaportës. Në arsyetim theksohet se në masë të madhe provat janë siguruar tashmë gjatë procedurës, se i dyshuari është paraqitur vullnetarisht, si dhe ekzistojnë indicie se në repartin e paraburgimit nuk mund të garantohet siguria e tij personale.
Sipas prokurorisë, këto indicie janë të mbështetura me njoftime nga organet kompetente, ndërsa rreziku për sigurinë thuhet se shtrihet edhe ndaj anëtarëve të familjes së tij. Gazeta Flaka















