Bashkimi i ASH-së, Valbon Limani: Duhet të ketë motiv dhe dëshirë nga të gjithë anët
“Nuk do t’i quaja largime, më tepër i quaj reflektime personale”, kështu tha për largimet e fundit nga ASH-Taravari, Valbon Limani, duke e vlerësuar kontributin e tyre në parti, shkruan TV21. Valbon Limani tha se pas asaj që ndodhi në zgjedhjet lokale, Blerant Ramadani e pa më të arsyeshme përkushtimin e tij në profesion, ndërsa për Gadaf Uzairi, ai tha se është një pauzë e përkohshme pas gjithë atyre viteve përkushtim.
E për mundësinë e bashkimit me ASH-Sela, Valbon Limani tha se deri tani nuk ka parë hapa konkret, por shtoi se do të punohet në atë drejtim.
“Sa i përket bashkimit të ASH-së, për të pas bashkim të tillë duhet edhe motiv edhe dëshirë nga të gjitha palët dhe nga të gjitha anët. Deri tani nuk shoh ndonjë hap konkret por do të vazhdojmë të punojmë në atë drejtim”, tha Limani
Ndonëse tha se koalicioni ASH-AKI ishte vetëm për zgjedhjet lokale të vitit 2025, Valbon Limani shtoi se ka tendencë nga të dyja palët që ky koalicion të vazhdojë edhe në zgjedhjet parlamentare kurdo që mbahen ato.
“Nëse shkon gjithçka siç duhet, besoj se edhe në zgjedhjet parlamentare do të dalim si koalicion”, deklaroi Limani.
Zgjedhjet e parakohshme do të kishin qenë zgjedhja më e mirë për shtetin tonë”, kështu tha në Click Plus në Tv21, Valbon Limani drejtues deri në kongres i ASH-së.
Limani tha se pavarësisht se po promovohet se rruga drejtë anëtarësimit në BE po ecën mirë, sipas tij, vendi ka ngecur në krahasim me vendet e rajonit, duke e paraqitur si arsye të parë për shkuarjen në zgjedhje.
Tutje, ai shtoi se me zgjedhjet e parakohshme duhet të vazhdojë me hapa të shpejtë procesi i anëtarësimit. Gazeta Flaka















