Valbon Limani: VLEN-i bashkë vetëm nga interesi, jo nga uniteti
Në një analizë të drejtpërdrejtë në emisionin Click Plus në TV21, Valbon Limani ka vënë në pikëpyetje kohezionin e brendshëm të koalicionit VLEN, duke e cilësuar funksionimin e tij si të brishtë dhe të kushtëzuar.
Sipas Limanit, përplasjet nuk janë vetëm mes partive përbërëse, por edhe brenda vetë strukturave të tyre, ku – siç tha ai – ekzistojnë disa rryma që rivalizojnë hapur me njëra-tjetrën. Kjo, në vlerësimin e tij, krijon mosbesim të ndërsjellë dhe e bën të vështirë ndërtimin e qëndrimeve të përbashkëta politike.
“Ata po e luftojnë njëri-tjetrin nga brenda,” theksoi ai, duke shtuar se komunikimi i fragmentuar dhe raportet individuale me kryeministrin Hristijan Mickoski kanë zëvendësuar funksionimin si strukturë e unifikuar.
Limani vlerësoi se faktori kryesor që aktualisht i mban bashkë partnerët e koalicionit është pushteti dhe nevoja për të ruajtur raportet me kreun e ekzekutivit. Sipas tij, ky është një bashkim më shumë pragmatik sesa politik.
“Do të jenë të bashkuar artificialisht për aq kohë sa i duhen Mickoskit,” u shpreh ai, duke shtuar se megjithatë do të dëshironte që koalicioni të arrijë unitet real, ndonëse në rrethanat aktuale kjo duket e vështirë.
Deklaratat e Limanit vijnë në një moment kur dinamika e brendshme e shumicës qeverisëse është në fokus të debatit publik, duke shtuar pikëpyetjet për qëndrueshmërinë afatgjatë të koalicionit. Gazeta Flaka















