Bexheti: VLEN ta sigurojë shumicën për rezolutën për ish-krerët e Kosovës, jo të bëjë kalkulime
Deputeti i Bashkimi Demokratik për Integrim, Blerim Bexheti, në emisionin Debat në SHENJA ka deklaruar se përgjegjësia për miratimin e rezolutës për ish-krerët e Kosovës bie mbi shumicën parlamentare, duke i bërë thirrje VLEN që të bindë partnerët e saj qeverisës.
Sipas tij, qeveria ka shumicën në komisionet parlamentare dhe në Kuvend, prandaj nuk ka vend për arsyetime procedurale.
“E vërteta është një, dy nuk janë. Shumicën e anëtarëve në çdo komision e ka qeveria. Kush duhet ta bëjë shumicën që të kalojë rezoluta? Shumica parlamentare. Është shumë e thjeshtë,” deklaroi Bexheti.
Ai kritikoi, siç tha, “lojërat” politike rreth pjesëmarrjes pa garantuar votat e nevojshme për miratim.
“Zotëritë e VLEN-it duhet të flasin me partnerët e vet. Nëse i kanë partnerë realë, duhet t’u thonë se ky është vullnet i shqiptarëve, populli i dytë në shtet, dhe se kjo duhet të mbështetet,” theksoi ai.
Deklaratat e Bexhetit vijnë në kohën kur çështja e rezolutës ka hapur debat të ri politik mes shumicës dhe opozitës, duke rikthyer në fokus raportet brenda koalicionit qeverisës. Gazeta Flaka















