Limani: Largimet nga ASH, koalicionet dhe strategjia afatgjatë 2036- Çka deklaroi sonte në Tv21?
Valbon Limani, drejtues i Aleancës për Shqiptarët deri në Kongres, ka komentuar largimet e fundit nga partia, duke i quajtur “reflektime personale” dhe duke vlerësuar kontributin e tyre gjatë viteve.
Ai tha se Blerant Ramadani ka zgjedhur të përqendrohet në profesionin e tij pas zgjedhjeve lokale, ndërsa Gadaf Uzairi ka marrë një pauzë të përkohshme pas viteve të përkushtimit në parti.
Për mundësinë e bashkimit me ASH-Sela, Limani tha se deri tani nuk ka parë hapa konkret, por se do të punohet në atë drejtim, duke theksuar se një bashkim i tillë kërkon motiv dhe dëshirë nga të gjitha palët.
Ai shtoi se koalicioni ASH-AKI ishte vetëm për zgjedhjet lokale të vitit 2025, por ka tendencë që të vazhdojë edhe në zgjedhjet parlamentare:
“Nëse shkon gjithçka siç duhet, besoj se edhe në zgjedhjet parlamentare do të dalim si koalicion,” deklaroi Limani.
Duke komentuar situatën politike në vend, Limani theksoi se zgjedhjet e parakohshme do të ishin zgjedhja më e mirë për shtetin, duke shtuar se vendi ka ngecur krahasuar me rajonin, pavarësisht promovimeve për ecjen drejt anëtarësimit në BE.
Ai kritikoi koalicionin qeverisës VLEN, duke e cilësuar funksionimin e tij të brishtë dhe të kushtëzuar, me përplasje brenda dhe mes partive, ku marrëdhëniet individuale me kryeministrin Hristijan Mickoski kanë zëvendësuar funksionimin si strukturë e unifikuar.
Limani theksoi se Aleanca për Shqiptarët ka ruajtur gjithmonë korrektësinë politike në çdo koalicion dhe vendimet për largim nuk bazohen në arsye emocionale apo taktike, por mbi mosrespektimin e marrëveshjeve. Ai renditi si arsyet kryesore: stagnimin në ndryshimet kushtetuese dhe procesin e integrimit evropian, vonesat në ligjin për përfaqësim të drejtë, margjinalizimin e rolit të faktorit shqiptar dhe mungesën e zhvillimit ekonomik.
Limani bëri të ditur se ASH është në fazën përfundimtare të hartimit të një Strategjie afatgjatë 2026–2036, e cila synon të krijojë një platformë orientuese për dekadën e ardhshme, duke përfshirë marrëveshje ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve mbi barazinë reale, demokraci konsensuale dhe zhvillim të qëndrueshëm. Strategjia do të finalizohet përmes debatit publik dhe votës së delegatëve në Kongres.
Ai shtoi gjithashtu se zhvillimet e fundit për rastin Grubi janë një provë për sistemin e drejtësisë dhe kërkojnë një gjyq të drejtë. Gazeta Flaka















