Fatmir Ismaili zgjidhet kryetar i Degës së Aleancës për Shqiptarët në Butel
Aleanca për Shqiptarët vazhdon procesin e riorganizimit të strukturave partiake në prag të Kongresit të ardhshëm. Në këtë kuadër, edhe Dega e Butelit ka kompletuar strukturën e saj udhëheqëse, duke zgjedhur Fatmir Ismailin në krye të saj.
Sipas njoftimit të Aleancës për Shqiptarët, Kuvendi Zgjedhor i Degës së Butelit u mbajt me pjesëmarrje të anëtarëve, aktivistëve dhe mbështetësve të partisë.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe kryetari i partisë, Dr. Arben Taravari, përfaqësues të zgjedhur, deputetë, funksionarë dhe aktivistë të tjerë të strukturave partiake.

Përmes procesit të votimit, drejtimi i degës iu besua ekipit të ri në krye me Fatmir Ismailin, i cili pas zgjedhjes falënderoi për besimin e dhënë, duke u zotuar për angazhim me përgjegjësi dhe transparencë në forcimin e strukturës partiake dhe bashkëpunimin me qytetarët.
Nga Aleanca për Shqiptarët bëjnë të ditur se procesi i konsolidimit organizativ po vazhdon në degët e partisë në të gjithë vendin, me synimin e përmbylljes së riorganizimit para Kongresit të ardhshëm.
Partia thekson se ky proces synon ndërtimin e një organizimi më modern, të bashkuar dhe më pranë nevojave të qytetarëve. Gazeta Flaka












