Limani: Jam dhe mbetem në ASH, nuk jam politikan “tregtar” – çdo veprim imi është transparent
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka hedhur poshtë spekulimet për një ndryshim të mundshëm të pozicionimit të tij politik dhe kalimin në VLEN, duke deklaruar se mbetet pjesë e Aleancës për Shqiptarët (ASH).
Në një intervistë për emisionin „Dialog te Lajmi“, Limani ka komentuar edhe pjesëmarrjen e tij në aktivitetin e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, me rastin e vizitës së kryeparlamentares së Kosovës, Albulena Haxhiu, duke theksuar se prania e tij në këtë ngjarje nuk duhet të interpretohet në kontekst të kalkulimeve politike.
Limani bëri të ditur se në aktivitet kishte marrë pjesë me ftesë të ambasadorit të Kosovës, Qehaja, ndërsa vlerësoi se është krejtësisht normale që një kryetar komune me shumicë shqiptare të jetë pjesë e aktiviteteve të organizuara nga institucionet e Kosovës.
„Nuk shoh asgjë tragjike që si kryetar komune me shumicë shqiptare të marr pjesë në një aktivitet të cilin e organizon Ambasada e Republikës së Kosovës. Interpretimet gjithmonë mund të jenë të ndryshme, por unë përfaqësoj Komunën e Gostivarit dhe të gjithë banorët e saj. Ambasada e Kosovës e ka respektin e njëjtë sikurse edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë. Ne jemi të lidhur shpirtërisht dhe në forma të ndryshme si me Republikën e Shqipërisë, ashtu edhe me Republikën e Kosovës“, deklaroi Limani.
Ai theksoi se, sipas informacioneve që posedon, ftesa për këtë aktivitet u ishte dërguar të gjithë kryetarëve shqiptarë të komunave. Sipas tij, raportet me Kosovën dhe Shqipërinë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, me respekt dhe frymë vëllazërore.
Megjithatë, pjesa më e drejtpërdrejtë e deklaratës së Limanit kishte të bënte me spekulimet për të ardhmen e tij politike dhe pretendimet për një kalim të mundshëm në VLEN.
„E kam thënë dhe përsëri do ta them: unë nuk jam politikan tregtar dhe secilin veprim timin e bëj me vetëdije të plotë, në mënyrë transparente dhe publike. Ata që interpretojnë se diçka po ndodh, le të mos kenë dert, sepse nëse ndonjëherë ndodh diçka, gjithçka do të jetë publike dhe të gjithë do ta dinë“, u shpreh Limani.
Me këtë qëndrim, kryetari i Gostivarit synon t’u japë fund interpretimeve që janë ngritur pas pjesëmarrjes së tij në aktivitetin diplomatik, duke riafirmuar përkatësinë e tij politike në Aleancën për Shqiptarët.
Deklarata vjen në një periudhë kur ASH-ja po zhvillon procesin e riorganizimit të brendshëm në prag të Kongresit të dhjetorit, ku bashkimi i strukturave dhe konsolidimi i partisë janë ndër prioritetet kryesore. Gazeta Flaka











