Limani: ASH-ja synon bashkimin e strukturave dhe rikthimin e të larguarve nga partia
Aleanca për Shqiptarët po synon të hapë një kapitull të ri politik përmes bashkimit të strukturave partiake dhe rikthimit të anëtarëve e aktivistëve që janë larguar ose distancuar nga partia ndër vite. Ky është mesazhi që përcolli Valbon Limani, kryetar i Komunës së Gostivarit dhe kryetar i Këshillit Organizativ për organizimin e Kongresit të ASH-së.
Në një intervistë për emisionin „Dialog te Lajmi“, Limani bëri të ditur se përgatitjet për Kongresin po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë dhe se tashmë është përmbyllur formimi i pothuajse të gjitha degëve të partisë. Kongresi pritet të mbahet në fillim të dhjetorit, ndërsa data e saktë do të caktohet në ditët në vijim.
Limani theksoi se prioriteti kryesor i Aleancës në këtë periudhë nuk duhet të jetë vetëm procesi zgjedhor brenda partisë, por mbi të gjitha bashkimi i njerëzve dhe konsolidimi i potencialit të saj politik.
„Qëndrimi ynë aktual si ASH është që me Kongresin të kemi si qëllim bashkimin e strukturave. Të bisedojmë me të gjithë njerëzit të cilët në periudha të ndryshme kohore janë distancuar apo janë larguar për arsye të ndryshme dhe t’i rikthejmë. Mendoj se ASH-ja ka një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor dhe duhet të mundohemi që secilin që gjatë rrugëtimit tonë ka qenë pjesë e Aleancës, ta rikthejmë aty ku e ka vendin“, deklaroi Limani.
Sipas tij, vetëm përmes një procesi të mirëfilltë bashkimi dhe konsolidimi të brendshëm, ASH-ja mund të forcohet si subjekt politik dhe të jetë më e përgatitur për përfaqësimin e interesave të shqiptarëve në nivel lokal dhe qendror.
Duke folur për çështjen e lidershipit dhe kandidaturat e mundshme për kryetar të partisë, Limani u shpreh se është ende herët për të dhënë emra, pasi vendimi për rikandidimin i takon kryetarit aktual, Arben Taravari.
Ai vlerësoi se Taravari ka pasur një mandat të suksesshëm dhe se vazhdimi i drejtimit të partisë edhe për një mandat tjetër do të ishte i arsyeshëm. Sipas Limanit, në rast të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, vazhdimësia e lidershipit do të ishte në interes të ASH-së, për të garantuar stabilitet në një periudhë të ndjeshme politike.
Ndërkohë, duke iu referuar spekulimeve për ambicie personale për pozita partiake, Limani theksoi se aktualisht është i përqendruar te përgjegjësia e tij si kryetar i Këshillit Organizativ dhe te përgatitja e Kongresit.
Mesazhi i Limanit vjen në një periudhë kur Aleanca për Shqiptarët po kalon një proces riorganizimi të brendshëm, me synimin për të konsoliduar degët dhe strukturat e saj në prag të Kongresit të dhjetorit. Ai e sheh këtë proces si një mundësi për rikthimin e figurave dhe aktivistëve të larguar, si dhe për forcimin e subjektit në skenën politike shqiptare në vend. Gazeta Flaka











