Dy persona kapen duke drejtuar automjete pa patentë shoferi në Gostivar, njëri 16-vjeçar
Dy persona, njëri prej tyre i mitur 16-vjeçar, janë kapur nga policia duke drejtuar automjete pa patentë shoferi në Gostivar.
Sipas njoftimit të SPB Tetovë, më 3 nëntor 2026, në orën 18:50, në Stacionin Policor të Gostivarit është zhvilluar bisedë zyrtare me një 16-vjeçar nga Gostivari, në prani të nënës së tij.
I mituri ishte ndaluar në rrugën „Ilinden“ në Gostivar, derisa drejtonte një automjet të tipit „Mitsubishi“ me targa të Gostivarit. Pas kontrolleve të kryera, policia ka konstatuar se ai e drejtonte automjetin pa poseduar leje për drejtimin e automjetit.
Ndërkaq, gjatë natës, pesë minuta pas mesnatës, në lagjen Cigllanë të Gostivarit, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria një 19-vjeçar nga Gostivari.
Gjatë kontrollit në komunikacion, policia kishte ndaluar një automjet të tipit „Audi“ me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte 19-vjeçari. Pas kontrolleve dhe masave të ndërmarra, është konstatuar se edhe ai drejtonte automjetin pa patentë shoferi.
Policia njofton se pas dokumentimit të plotë të të dy rasteve do të pasojnë parashtresat përkatëse. Gostivari Sot











