Limani: Mbi 45 projekte të realizuara në Gostivar, në fokus bulevardi “Vëllezërit Gjinoski” dhe ura te Gjykata

Flaka
Botuar nga Flaka 4 Nëntor, 2026 22:28

Limani: Mbi 45 projekte të realizuara në Gostivar, në fokus bulevardi “Vëllezërit Gjinoski” dhe ura te Gjykata

Mbi 45 projekte janë realizuar në Komunën e Gostivarit gjatë periudhës 15–16-mujore, ndërsa në fokus të investimeve të ardhshme janë zgjerimi i bulevardit „Vëllezërit Gjinoski“, ndërtimi i urës te Gjykata dhe vazhdimi i investimeve në vendbanimet rurale.

Kështu deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, në një intervistë për emisionin „Dialog te Lajmi“, ku foli për projektet e realizuara, investimet në vazhdim dhe planet për periudhën e ardhshme.

Limani bëri të ditur se Komuna ka përfituar projekte nga dy thirrjet qeveritare, fillimisht 13 dhe më pas rreth 50 projekte të tjera, një pjesë e të cilave tashmë janë realizuar, ndërsa projektet e mbetura pritet të vazhdojnë gjatë pranverës.

„Nga dy thirrjet qeveritare kemi përfituar fillimisht, e më pas rreth 50 projekte. Këto projekte tashmë janë duke u realizuar, procedurat janë përfunduar. Disa projekte janë realizuar, ndërsa disa të tjera pritet të vazhdojnë gjatë pranverës. Në këtë drejtim, për të qenë i sinqertë, nuk kemi pasur ndonjë problem rreth bashkëpunimit me pushtetin qendror“, deklaroi Limani.

Ai theksoi se krahas projekteve të financuara përmes thirrjeve qeveritare, Komuna ka realizuar edhe investime nga buxheti vetanak, duke e çuar numrin e përgjithshëm të projekteve të realizuara në mbi 45.

Sa u përket investimeve të ardhshme, Limani veçoi bulevardin kryesor „Vëllezërit Gjinoski“, ku punimet tashmë kanë filluar. Synimi i Komunës është që deri në përfundim të mandatit ky projekt të përmbyllet me zgjerimin e rrugës në katër korsi, ndërtimin e infrastrukturës përcjellëse, vendosjen e ndriçimit publik dhe krijimin e hapësirave të dedikuara për këmbësorë dhe biçiklistë.

Një tjetër investim i rëndësishëm është ndërtimi i urës te Gjykata, projekt i cili fillimisht ishte paraparë të realizohej gjatë verës, por ishte shtyrë për shkak të fluksit të mërgimtarëve gjatë sezonit veror.

Sipas Limanit, nëse kushtet atmosferike e lejojnë, punimet mund të fillojnë edhe gjatë kësaj periudhe, ndërsa në të kundërtën realizimi i projektit do të nisë në pranverë.

Në kuadër të investimeve në vendbanimet rurale, ai përmendi vazhdimin e ndërtimit të kanalizimit fekal dhe linjave kryesore në fshatin Çegran, investimet në terrenet sportive, si dhe projektin për furnizimin me ujë në fshatin Debresh.

Gjatë intervistës, Limani u ndal edhe te sfidat financiare të pushtetit lokal, duke theksuar nevojën për rritjen e të hyrave komunale dhe avancimin e procesit të decentralizimit.

„Të hyrat që aktualisht i marrin komunat nuk janë të mjaftueshme për një funksionim efektiv, duke filluar nga pjesa e TVSH-së e deri te burimet e tjera financiare. Ky debat duhet të shtrohet më seriozisht, sepse komunat duhet të jenë më funksionale dhe më efektive në kryerjen e obligimeve të tyre“, u shpreh Limani.

Ai vlerësoi se komunat duhet të kenë më shumë pavarësi financiare dhe kapacitete për të realizuar projektet në interes të qytetarëve, duke theksuar se investimet infrastrukturore dhe përmirësimi i shërbimeve duhet të shtrihen në mënyrë të barabartë si në qytet, ashtu edhe në vendbanimet rurale. Gazeta Flaka

14

„Duke pasur parasysh protestat në shtetet e rajonit dhe të botës, a mendoni se edhe Maqedonia e Veriut do të përfshihet në këtë valë të protestave sociale?“

Flaka
Botuar nga Flaka 4 Nëntor, 2026 22:28
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
14

„Duke pasur parasysh protestat në shtetet e rajonit dhe të botës, a mendoni se edhe Maqedonia e Veriut do të përfshihet në këtë valë të protestave sociale?“

  • DritonZenku
    Shkollat po mbyllen, fshatrat po zbrazen: alarmi demografik në Maqedoninë e Veriut