Kronikë e zezë: Dy aksidente të rënda dhe disa arrestime në vend, policia me dhjetëra ndërhyrje
Motoçiklisti dhe një këmbësor kanë pësuar lëndime të rënda në dy aksidente në Shkup. Ndërkohë, policia ka regjistruar raste të shumta të dhunës, kërcënimeve, drogës dhe veprave të tjera penale në disa qytete të vendit.
Një sërë ngjarjesh të ndryshme kanë shënuar raportin e fundit policor në Maqedoninë e Veriut. Dy aksidente të rënda trafiku në Shkup, arrestime për posedim të drogës, raste të dhunës në familje, sulme ndaj personave zyrtarë dhe dyshime për falsifikim dokumentesh janë ndër ngjarjet e evidentuara nga policia gjatë 5 dhe 6 nëntorit.
Dy aksidente të rënda në Shkup
Në fshatin Studeniçan, më 5 nëntor, rreth orës 14:30, një motoçikletë „Suzuki“ dhe një autobus, të dy me targa të Shkupit, janë përfshirë në aksident trafiku. Motoçiklisti 25-vjeçar nga Koliçani i Poshtëm ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim në Qendrën e Urgjencës në Shkup.
Në një tjetër aksident, të ndodhur në rrugën „Dizhoni“ në Shkup, një automjet transportues „Peugeot“ ka goditur një këmbësor 68-vjeçar. Edhe ai ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në institucionin shëndetësor „Shën Naumi Ohridski“.
Kërcënime dhe dhunë në familje
Raste të shumta të dhunës dhe kërcënimeve janë evidentuar në disa qytete. Në Gostivar, një 33-vjeçar nga Çajla është kallëzuar penalisht nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Po në Gostivar, policia ka arrestuar një 34-vjeçar, pas denoncimit se i kishte bërë kërcënime me jetë bashkëshortes 25-vjeçare, me të cilën ndodhet në procedurë shkurorëzimi. Një tjetër grua 38-vjeçare ka denoncuar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Në Koçan, një 33-vjeçar është privuar nga liria pas denoncimit se kishte kërcënuar dhe ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij 30-vjeçare.
Ndërkaq, në Negotinë, një 64-vjeçar është arrestuar pas denoncimit se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së tij 35-vjeçare. Në Prilep, një e mitur 16-vjeçare ka denoncuar se ishte sulmuar fizikisht nga partneri i saj jashtëmartesor dhe babai i tij.
Arrestime për drogë dhe armë
Në Shkup, gjatë datave 5 dhe 6 nëntor, policia ka privuar nga liria katër persona, të moshës 27 deri në 49 vjeç, pasi tek ata është gjetur dhe sekuestruar marihuanë.
Një tjetër arrestim është realizuar në Vinicë, ku te një 28-vjeçar nga fshati Jakimovë është gjetur marihuanë. Gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, me urdhër gjykate, janë gjetur edhe mbetje të kësaj substance.
Në Shkup, në zonën e Çentos, një 37-vjeçar është arrestuar pasi policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një karikator dhe dy fishekë.
Ndërsa në Manastir, gjatë kontrollit ndaj një 37-vjeçari janë gjetur dhe sekuestruar 30 shirita me tableta.
Kallëzime për falsifikim, vjedhje dhe uzurpim
Në Kumanovë, një 66-vjeçar nga Sllupçani dyshohet se gjatë viteve 2021–2024, në cilësinë e personit zyrtar në shërbimin e librave amë, ka regjistruar të dhëna të pavërteta dhe ka përpiluar certifikata të rreme për shtetas të huaj, duke paraqitur se ata kishin lidhur martesë.
Në një rast tjetër, dy persona nga fshati Umllena, të moshës 57 dhe 55 vjeç, janë kallëzuar penalisht nën dyshimin për vjedhje të druve të lisit. Sipas policisë, gjatë periudhës prill–korrik 2026, ata kanë marrë dru nga një parcelë private dhe më pas kanë prerë në mënyrë të kundërligjshme edhe 63 trungje lisi, të cilat i kanë shitur si dru për ngrohje.
Në Strugë, një 34-vjeçar dyshohet se ka uzurpuar tokë shtetërore në zonën „Vreshtat e Liqenit“, në bregun e Liqenit të Ohrit, ku pa lejen përkatëse ka ndërtuar një banak të mbuluar.
Sulme ndaj policëve dhe arrestime të tjera
Në Kumanovë, dy persona janë kallëzuar penalisht në raste të ndara. Njëri dyshohet se ka kërcënuar dhe fyer policët gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, ndërsa tjetri dyshohet se ka sulmuar fizikisht një nëpunës policor gjatë tentimit për ta arrestuar.
Në Veles, policia ka arrestuar një 41-vjeçar i cili kërkohej me urdhër gjykate për vuajtjen e dënimit me tre vjet burg për vepër penale kundër sigurisë në komunikacion.
Në Shkup janë evidentuar edhe disa raste të tjera të sulmeve fizike dhe kërcënimeve, përfshirë arrestimin e një 18-vjeçari nën dyshimin se kishte sulmuar dy të mitur.
Ndërkaq, në Kisella Vodë, një 36-vjeçar është arrestuar pas denoncimit të një 29-vjeçareje se ai e kishte kërcënuar me publikimin e fotografive intime nëse ajo nuk i jepte para dhe nuk kryente marrëdhënie seksuale me të.
Të gjitha rastet janë duke u proceduar nga organet kompetente, ndërsa për disa prej tyre policia ka njoftuar se pas dokumentimit të plotë do të vijojnë kallëzimet dhe parashtresat përkatëse.
Flaka










