Dhuna në familje alarmon vendin: 11 denoncime brenda një dite – Zenku: Pasiguria sociale rëndon edhe jetën familjare!

Flaka
Botuar nga Flaka 8 Nëntor, 2026 09:02

Dhuna në familje alarmon vendin: 11 denoncime brenda një dite – Zenku: Pasiguria sociale rëndon edhe jetën familjare!

Njëmbëdhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Maqedonisë së Veriut. Në disa prej tyre, policia ka privuar nga liria persona të dyshuar për dhunë fizike dhe kërcënime, ndërsa për rastet e tjera po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të ngjarjeve.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, rastet janë regjistruar në disa qytete dhe rajone të vendit, përfshirë Prilepin, Strumicën, Velesin, Zletovën, Gostivarin, Ohërin dhe disa zona të Shkupit.

Në Prilep, një grua ka denoncuar se për një periudhë të gjatë ishte përndjekur dhe shqetësuar nga ish-partneri i saj, i cili shkonte në vendin e saj të punës, e ndiqte deri në shtëpi dhe i dërgonte mesazhe me përmbajtje fyese.

Në një fshat të komunës së Novo Sellës, policia ka arrestuar një 62-vjeçar, pas denoncimit se ishte sjellë në mënyrë agresive ndaj bashkëshortes së tij 57-vjeçare. Në Strumicë, një 65-vjeçar ka raportuar sjellje agresive nga djali i tij 33-vjeçar, i cili më pas është dërguar në institucion shëndetësor për trajtim.

Një rast tjetër është regjistruar gjatë natës së 7 nëntorit në rajonin e Strumicës, ku një 38-vjeçar dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 33-vjeçare dhe më pas e ka nxjerrë nga shtëpia familjare atë dhe fëmijët e tyre të mitur.

Në Veles, është arrestuar një 45-vjeçar, i dyshuar se ka sulmuar fizikisht dhe kërcënuar ish-bashkëshorten e tij, po ashtu 45-vjeçare. Në Zletovë, policia ka privuar nga liria një 49-vjeçar, pas denoncimit të partneres së tij 37-vjeçare se ai e kishte sulmuar fizikisht.

Rast edhe në Gostivar

Në Gostivar, policia ka arrestuar një 42-vjeçar pas denoncimit të bashkëshortes së tij 38-vjeçare për veprën penale “lëndim trupor”.

Ndërkohë, në rajonin e Ohrit, një 41-vjeçare ka raportuar se bashkëshorti i saj e kishte fyer dhe kërcënuar përmes telefonit, ndërsa ajo ndodhej në vendin e punës.

Në Shkup, në rajonin e Çairit, është arrestuar një 51-vjeçar, i dyshuar se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 47-vjeçare. Në Gjorçe Petrov, një 19-vjeçar ka denoncuar se ishte sulmuar fizikisht dhe kërcënuar nga ish-partnerja e tij 17-vjeçare, e cila dyshohet se kishte dëmtuar edhe derën hyrëse të banesës dhe automjetin e tij. Ndërsa në rajonin e Qendrës, një 19-vjeçare ka raportuar se babai i saj 49-vjeçar kishte kërcënuar atë dhe nënën e saj.

Nga MPB bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të të gjitha rasteve, pas së cilave do të pasojnë parashtresat përkatëse.

Kriza ekonomike dhe pasiguria sociale e rëndojnë edhe jetën familjare

Përtej rasteve individuale dhe përgjegjësisë penale të personave të përfshirë, përsëritja e këtyre ngjarjeve ngre edhe çështjen e faktorëve më të gjerë socialë që ndikojnë në marrëdhëniet familjare.

Në një vlerësim sociologjik të fenomenit, sociologu Driton Zenku e lidh mirëqenien e familjes me sigurinë ekonomike, kushtet e punës dhe mundësinë e prindërve për të përmbushur përgjegjësitë familjare. Sipas kësaj qasjeje, kriza ekonomike nuk mbetet vetëm çështje e të ardhurave dhe standardit të jetesës, por mund të thellojë edhe krizat sociale dhe familjare.

Papunësia, pagat e ulëta, borxhet, pasiguria për të ardhmen dhe presioni i vazhdueshëm financiar mund të shtojnë tensionet brenda familjes dhe të dobësojnë stabilitetin e saj. Kur këto probleme ndërthuren me mungesën e mbështetjes sociale, komunikimin e dëmtuar dhe modelet e dhunshme të sjelljes, rreziku për përshkallëzim të konflikteve familjare bëhet edhe më shqetësues.

Megjithatë, vështirësitë ekonomike nuk e justifikojnë dhe as nuk e arsyetojnë dhunën. Ajo mbetet përgjegjësi e personit që e ushtron, ndërsa institucionet kanë detyrimin të garantojnë mbrojtjen e viktimave dhe të reagojnë në kohë.

Sociologu Zenku ka theksuar edhe më herët se punëtori nuk duhet parë vetëm si fuqi pune, por edhe si prind, bashkëshort dhe pjesëtar i familjes e komunitetit. Kjo qasje nënvizon rëndësinë e politikave sociale dhe ekonomike që mbështesin jo vetëm individin, por edhe stabilitetin e familjes.

Nga MPB u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos heshtin përballë dhunës në familje dhe çdo rast ta denoncojnë me kohë. Viktimat, por edhe personat që kanë njohuri se dikush tjetër po përballet me dhunë, mund të paraqiten në stacionin më të afërt policor ose të telefonojnë në numrat 112 dhe 192.

Edhe sa gra dhe vajza duhet të humbin jetën që institucionet të sigurojnë mbrojtje në kohë nga dhuna? Kjo është pyetja që sot ngrihet në Shkup, përmes protestës qytetare me moton „Asnjë më shumë!“, kundër femicideve dhe dështimit institucional në mbrojtjen e grave.

Protesta do të mbahet sot, më 8 nëntor, në orën 12:00, në parkun „Gruaja Luftëtare“ në Shkup. Organizatorët dhe qytetarët do të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet kompetente dhe garanci se gratë që raportojnë dhunën nuk do të mbeten pa mbrojtje.

Shkas për protestën është vdekja tragjike e 17-vjeçares Biljana Kiriq nga Bogdanci, e cila humbi jetën pavarësisht se më herët kishte raportuar dhunë dhe ndaj saj ishin shqiptuar masa mbrojtëse. Protesta organizohet nga iniciativa joformale „Asnjë më shumë!“, e përbërë nga aktiviste dhe aktivistë, raportoi „Nezavisen“.

Biljana kishte raportuar dhunën, por masat mbrojtëse nuk e shpëtuan

Biljana dhe 21-vjeçari Viktor Guntarov u gjetën të vdekur më 3 nëntor në Bogdanci. Prokuroria njoftoi se indiciet fillestare çojnë drejt dyshimeve për vrasje dhe vetëvrasje, ndërsa për zbardhjen e plotë të rastit janë urdhëruar autopsitë dhe janë siguruar pamje nga kamerat e sigurisë, transmeton MKD.mk.

Veçanërisht shqetësues është fakti se rreziku ishte raportuar më herët. Nga Prokuroria kanë konfirmuar se më 16 tetor kishin pranuar një kallëzim për rrezikimin e sigurisë së të miturës. Ndërkohë, në procedurë civile ishin shqiptuar masa për mbrojtje nga dhuna në familje.

Sipas informacioneve të publikuara nga „Sloboden Peçat“, masat përfshinin ndalimin e kërcënimeve, shqetësimit dhe kontaktimit, si dhe ndalimin e afrimit në më pak se 100 metra nga vendbanimi, shkolla dhe vendet e tjera që vajza i frekuentonte rregullisht.

Pikërisht këtu shtrohet pyetja thelbësore: nëse dhuna ishte raportuar, nëse rreziku ishte evidentuar dhe nëse ishin shqiptuar masa mbrojtëse, përse ato nuk arritën ta parandalonin tragjedinë?

Kush e vlerësoi shkallën e rrezikut? A shkëmbyen institucionet me kohë informacionet? A ushtroi MPB mbikëqyrje të mjaftueshme për respektimin e masave? A ekzistonin mekanizma të tjerë ndërhyrjeje që mund të aktivizoheshin?

Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve duhet të jenë të qarta, të argumentuara dhe transparente.

Protestë kundër femicideve dhe papërgjegjësisë institucionale

Organizatorët kërkojnë hetim të plotë për të gjitha veprimet dhe vendimet institucionale që i paraprinë vdekjes së Biljanës, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë në rast se konstatohen lëshime.

Ndër kërkesat kryesore janë miratimi i ndryshimeve të propozuara ligjore për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, rikthimi i konceptit „gjini“ në ligje, udhëzime dhe programe, si dhe shkarkimi i bartësve të funksioneve publike dhe drejtuesve që e arsyetojnë apo normalizojnë dhunën.

Protesta është paralajmëruar si tubim qytetar, pa promovim partiak dhe pa simbole politike.

Në thirrjen për protestë përmenden emrat e Emilia, Ramajana, Tankica, Rosica, Suzana, Ajneta, Ivana dhe Katja – gra dhe vajza që këtë vit humbën jetën në raste femicidi në Maqedoni. Në këtë listë tashmë është edhe Biljana.

Pas secilit emër qëndron një jetë e ndërprerë, një familje që kërkon drejtësi dhe një pyetje e dhimbshme: çfarë mund të bëhej për ta parandaluar tragjedinë?

Marshi përfundon para Ministrisë së Arsimit

Tubimi dhe fjalimet do të nisin në orën 12:00 në parkun „Gruaja Luftëtare“, ndërsa në orën 12:30 pjesëmarrësit do të marshojnë nëpër qendrën e Shkupit. Destinacioni përfundimtar do të jetë para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Organizatorët u bëjnë thirrje pjesëmarrësve të respektojnë udhëzimet e organizatorëve dhe renditësve, të ndjekin itinerarin e paraparë dhe të mos mbajnë armë, mjete të mprehta, mjete piroteknike apo sende të tjera të rrezikshme.

Mesazhi i protestës është i drejtuar ndaj institucioneve, por edhe ndaj gjithë shoqërisë: raportimi i dhunës nuk duhet të mbetet vetëm një dokument administrativ, ndërsa masa mbrojtëse nuk duhet të jetë thjesht një vendim gjyqësor në letër.

„Asnjë më shumë!“ nuk është vetëm slogan i një proteste. Është kërkesë për një sistem ku gratë nuk do të detyrohen ta dëshmojnë frikën e tyre me jetën.

Flaka Media

25

„Duke pasur parasysh protestat në shtetet e rajonit dhe të botës, a mendoni se edhe Maqedonia e Veriut do të përfshihet në këtë valë të protestave sociale?“

Flaka
Botuar nga Flaka 8 Nëntor, 2026 09:02
Të drejtat autoriale dhe përdorimi i përmbajtjes Disa nga imazhet e publikuara në portal janë siguruar nga burime të ndryshme në internet dhe konsiderohen se i përkasin domenit publik. Në rast se ndonjë person ose subjekt pretendon të drejtën e pronësisë mbi to, Flaka Media është e gatshme të bëjë citimin përkatës të autorit ose, sipas kërkesës, ta largojë menjëherë imazhin nga portali. Marrja, kopjimi, riprodhimi, shpërndarja apo publikimi i paautorizuar i teksteve, fotografive, videove dhe çdo përmbajtjeje tjetër autoriale që përbën pronësi intelektuale të Flaka Media, pa pëlqimin paraprak me shkrim të redaksisë, ndalohet rreptësisht. Çdo shkelje e të drejtave autoriale dhe të drejtave të përafërta do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Flaka Media rezervon të drejtën të kërkojë kompensim financiar për dëmin e shkaktuar dhe të ndërmarrë procedurat përkatëse ligjore ndaj shkelësve. Për çdo ripublikim ose shfrytëzim të përmbajtjes autoriale të Flaka Media, është i detyrueshëm sigurimi i pëlqimit paraprak me shkrim nga redaksia. Në rastet kur jepet leja për ripublikim, duhet të vendoset në mënyrë të qartë burimi dhe një lidhje aktive (link) që orienton lexuesit drejt artikullit origjinal në faqen zyrtare të Flaka Media. Përmbajtjet reklamuese dhe materialet e publikuara përmes platformës MGID nuk janë nën administrimin dhe përgjegjësinë editoriale të redaksisë së Flaka Media. Arkivi i portalit ruhet për një periudhë prej dy vjetësh nga data e publikimit të lajmit.
25

„Duke pasur parasysh protestat në shtetet e rajonit dhe të botës, a mendoni se edhe Maqedonia e Veriut do të përfshihet në këtë valë të protestave sociale?“