Të paktën dy të vdekur dhe mbi 17 të plagosur nga shembja e një ndërtese në Nju-Jork
Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 17 të tjerë janë lënduar pasi një ndërtesë është shembur në afërsi të një kantieri aktiv ndërtimi në Nju-Jork, njoftuan autoritetet lokale.
Në lagjen Bruklin është zhvilluar një operacion i madh kërkim-shpëtimi, ku janë angazhuar më shumë se 250 pjesëtarë të shërbimeve emergjente. Ekipet e shpëtimit po kontrollojnë rrënojat e ndërtesës trekatëshe, në kërkim të personave që mund të kenë mbetur të bllokuar nën to.
Disa orë pas shembjes, pamjet ajrore treguan momentin kur zjarrfikësit nxorën një person të mbijetuar nga rrënojat, të mbuluar me pluhur, dhe e vendosën në barelë.
Shkaqet e shembjes së papritur, e cila ndodhi të mërkurën rreth orës 16:00 sipas kohës lokale, ende nuk janë bërë të ditura.
Komisionerja e Departamentit të Zjarrfikësve të Nju-Jorkut (FDNY), Lillian Bonsignore, e përshkroi operacionin e shpëtimit si jashtëzakonisht të rrezikshëm. Ajo bëri të ditur se në mesin e personave të bllokuar kishte banorë të ndërtesës së shembur, por edhe punëtorë nga kantieri i afërt.
“Ekipet tona nuk kanë ndaluar së punuari që nga momenti i mbërritjes në vendngjarje”, deklaroi Bonsignore.
Fotografitë nga ndërtesa në avenynë Flatbush në Bruklin tregojnë se njëra anë e saj është shembur plotësisht, duke lënë të ekspozuara dhomat e gjumit dhe dollapët. Mes betonit të thyer dhe metaleve të deformuara shihen edhe sende shtëpiake dhe veshmbathje.
Në vendngjarje ishte edhe kryetari i qytetit të Nju-Jorkut, Zohran Mamdani, i cili vlerësoi reagimin e shpejtë të ekipeve emergjente.
“Ata mbërritën për më pak se një minutë dhe prej orësh po punojnë në kushte të rrezikshme dhe teknikisht shumë komplekse për të shpëtuar njerëzit”, deklaroi Mamdani.
Sipas të dhënave të administratës së qytetit, ndërtesa në Bruklin ishte ndërtuar në vitin 1930, raportoi “CBS News”. Flaka











