Rritet në 12 numri i viktimave nga aksidenti zinxhiror në Bullgari, 51 persona të lënduar
Ka ndërruar jetë pacienti që ishte pranuar në gjendjen më të rëndë në spitalin “Dr. Ivan Seliminski” në Sliven, pas aksidentit të madh zinxhiror në autostradën Trakia në Bullgari. Lajmin e bëri të ditur mëngjesin e sotëm drejtori i institucionit shëndetësor, dr. Vasilislav Petrov.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, viktima ndërroi jetë gjatë natës në repartin e kujdesit intensiv. Me vdekjen e tij, numri i viktimave nga aksidenti më i rëndë në këtë autostradë është rritur në 12, ndërsa 51 persona kanë mbetur të lënduar.
Aktualisht, 15 persona vazhdojnë trajtimin në spitalin e Slivenit. Sipas autoriteteve shëndetësore, të gjithë ndodhen në gjendje të përgjithshme stabile.
Aksidenti përfshiu 86 automjete
Agjencia BGNES rikujton se tragjedia ndodhi më 10 nëntor, në zonën e kryqëzimit rrugor pranë fshatit Zimnica.
Për shkak të mjegullës së dendur dhe dukshmërisë pothuajse zero, gjithsej 86 automjete, të lehta dhe të rënda, u përfshinë në një përplasje zinxhirore në të dy drejtimet e lëvizjes.
Për shkak të përmasave të katastrofës, u aktivizua sistemi i alarmimit BG-ALERT, ndërsa u kërkua edhe ndërhyrja e avionëve ushtarakë.
Në mesin e 11 personave që humbën jetën ditën e aksidentit ishin edhe katër banorë të fshatit Samuilovo të Slivenit. Tre prej tyre ishin anëtarë të së njëjtës familje – një burrë, bashkëshortja e tij dhe vjehrra e tij. Viktima e katërt ishte një 30-vjeçar, i cili la pas një fëmijë të mitur jetim.
Pas aksidentit, dhjetëra të lënduar u dërguan në spitalet e rajonit. Vetëm në spitalin rajonal të Slivenit u pranuan 18 persona, ndërsa dhjetëra qytetarë iu përgjigjën thirrjes për dhurimin urgjent të gjakut, në përpjekje për të shpëtuar jetën e të plagosurve.
Varrimi i katër viktimave nga fshati Samuilovo do të mbahet sot. Gazeta Flaka











