Kodi i ri Penal parasheh burgim për përhapjen e informacioneve të pasakta që rrezikojnë stabilitetin e sistemit bankar
Kodi i ri Penal, i cili i është dërguar Komisionit Evropian, parasheh futjen e një vepre të re penale për rrezikimin e stabilitetit të sistemit bankar përmes përhapjes së informacioneve të pasakta në opinion. Për këtë vepër parashihet edhe dënim me burg.
Këtë e bëri të ditur deputetja dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Dragana Bojkovska, në emisionin „Analiza“ në TV24.
Sipas saj, dispozita e re do të parashikojë përgjegjësi penale për personat që, duke shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin e tyre zyrtar ose shoqëror, përmes deklaratave apo dokumenteve të rreme publikojnë informacione të pasakta që mund të rrezikojnë stabilitetin e sistemit bankar.
„Nuk mund të përhapni informacione të rreme, të përpiqeni të përfitoni politikisht dhe të mos mbani përgjegjësi për këtë. Këtyre situatave do t’u japim fund“, deklaroi Bojkovska.
Ajo akuzoi opozitën, përkatësisht LSDM-në, se përmes deklaratave për gjendjen në Alta Bankë po përhap frikë dhe panik te qytetarët, në një periudhë kur, siç tha, Qeveria dhe Banka Popullore po kërkojnë zgjidhje për marrjen e bankës nga një institucion tjetër bankar.
Bojkovska vlerësoi se përplasjet politike duhet të lihen anash, ndërsa institucionet duhet ta kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale, me qëllim të mbrojtjes së depozituesve dhe ruajtjes së stabilitetit të sektorit bankar. Flaka











