VLEN i kundërpërgjigjet Ahmetit: Tri ligjet e BDI-së nuk e bënë shqipen plotësisht të barabartë
VLEN ka reaguar ndaj letrës së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, duke e akuzuar atë për paraqitje të një realiteti të shtrembëruar dhe për shmangie të përgjegjësisë politike për zgjidhjet ligjore të miratuara gjatë qeverisjes së partisë së tij.
Në përgjigjen publike, VLEN e cilëson letrën e Ahmetit si “pamflet propagandistik”, duke pretenduar se ajo synon të krijojë konfuzion dhe të thellojë ndasitë mes qytetarëve, në vend që të trajtojë mangësitë në zbatimin e gjuhës shqipe.
Partia në pushtet rikthen në vëmendje vitet 2008, 2011 dhe 2018, kur sipas saj, gjatë tre mandateve të BDI-së në qeveri, u miratuan tri ligje të ndryshme për përdorimin e gjuhës shqipe, por pa arritur barazinë e plotë institucionale me gjuhën maqedonase.
“Ju asnjëherë nuk arritët që ta bëni gjuhën shqipe plotësisht të barabartë me gjuhën maqedonase në formë institucionale”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Si shembuj të mangësive, VLEN përmend jurisprudencën, sektorin bankar, ushtrinë, policinë dhe institucionet shëndetësore, si dhe veprimtarinë e avokatëve, noterëve dhe përmbaruesve, ku sipas saj, përdorimi i shqipes nuk është rregulluar në mënyrë të plotë.
Një tjetër pikë e kritikës është Ligji për përdorimin e gjuhëve i vitit 2019. VLEN pretendon se ky ligj nuk e ka garantuar zbatimin obligativ të shqipes në të gjitha institucionet, por ka lënë hapësirë për zbatim vullnetar.
Në reagim, VLEN i drejton Ahmetit edhe një pyetje lidhur me praktikën gjyqësore, duke kërkuar shpjegim se përse bashkëpunëtorët e tij që përballen me akuza për keqpërdorim të pozitës flasin maqedonisht gjatë seancave, nëse shqipja gëzon status zyrtar edhe në procedurat gjyqësore.
Përmes këtij reagimi, VLEN e zhvendos debatin nga letra e Ahmetit te bilanci i BDI-së në pushtet, duke e akuzuar ish-partinë qeverisëse për mungesë të vetëkritikës dhe për përdorim politik të çështjes së gjuhës shqipe.
Në fund, VLEN vlerëson se mbrojtja e gjuhës shqipe kërkon fillimisht pranimin e mangësive të ligjeve të miratuara në kohën e qeverisjes së BDI-së, duke këmbëngulur se ato nuk e kanë zgjidhur plotësisht çështjen e përdorimit zyrtar të shqipes.















