VLEN: Nga 100% në maqedonisht, provimet profesionale tani edhe 100% në shqip
VLEN njofton se një sërë provimesh profesionale dhe shtetërore në Maqedoninë e Veriut tashmë mund të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si avancim të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe realizim të premtimeve të koalicionit.
Në një konferencë për media, nga VLEN kanë bërë të ditur se mundësia për t’i dhënë provimet në gjuhën shqipe është zgjeruar në disa fusha, përfshirë administratën publike, shëndetësinë, arsimin parashkollor, sigurimet dhe mbrojtjen e mjedisit.
Sipas njoftimit të VLEN-it, provimet që mund të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe përfshijnë:
- Provimin për revizorë/auditorë të autorizuar shtetërorë, në kuadër të Entit Shtetëror për Revizion;
- Provimin për agjentët e sigurimeve, të licencuar nga MAPAS;
- Provimin profesional për ekspertë të vlerësimit të ndikimit të projekteve në mjedis;
- Provimin për ekspertë të vlerësimit strategjik të mjedisit;
- Provimet për drejtorë, edukatorë, punëtorë dhe kujdestarë profesionalë në institucionet parashkollore;
- Provimet profesionale për mjekë, stomatologë dhe motra medicinale.
Gjithashtu, VLEN ka njoftuar se në kuadër të Ministrisë së Kulturës është themeluar për herë të parë një njësi për përkthim dhe lektorim.
Përfaqësuesit e këtij koalicioni kanë theksuar se nga viti 2002 deri në vitin 2024, provimet profesionale, licencimet dhe provimet shtetërore në institucionet shtetërore janë zhvilluar në gjuhën maqedonase, pavarësisht gjuhës në të cilën kandidatët kishin përfunduar studimet.
Sipas VLEN-it, ndryshimet e fundit përbëjnë një avancim konkret të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve, ndërsa kanë përmendur edhe provimin e jurisprudencës, për të cilin kanë paralajmëruar se studentët shqiptarë së shpejti do të kenë mundësi ta japin në gjuhën shqipe.
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës shqiptare për përdorimin e gjuhës shqipe, nga VLEN kanë mohuar se në këtë drejtim ka regres apo shkelje të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
„Ne nuk premtojmë. Ne veprojmë dhe sjellim rezultate“, thuhet në mesazhin përmbyllës të VLEN-it, duke theksuar se angazhimi për përdorimin e gjuhës shqipe do të vazhdojë në të gjitha institucionet dhe procedurat ku qytetarët ushtrojnë të drejtat e tyre.
Flaka















