Tre vjet pas, afganët ndiejnë ende efektet e sulmit në Aeroportin e Kabulit

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 26 Gusht, 2024 19:48

Tre vjet pas, afganët ndiejnë ende efektet e sulmit në Aeroportin e Kabulit

Ngjarjet e tmerrshme të 26 gushtit të vitit 2021 janë ngulitur në kujtesën e Shafiullah Samsorit.

Njëzetedyvjeçari i atëhershëm ishte në mesin e mijëra afganëve të dëshpëruar, që ishin grumbulluar jashtë Aeroportit të Kabulit, me shpresën se do të transportoheshin jashtë vendit nga ushtria amerikane.

Vetëm disa ditë më parë, talibanët morën kontrollin e kryeqytetit të Afganistanit, duke shkaktuar panik në mesin e 5 milionë banorëve të qytetit.

Mes skenave kaotike jashtë aeroportit, i cili ende kontrollohej nga forcat amerikane që po largoheshin, një kamikaz shpërtheu jelekun e tij të mbushur me eksploziv.

“Papritur, ndodhi një shpërthim i fuqishëm, i cili më hodhi në tokë”, kujton Samsori.

“Kishte klithma, njerëzit filluan të vraponin gjithandej. Më kujtohet gjaku dhe pluhuri rreth meje përpara se t’i humbja ndjenjat”, shton ai.
Samsori, student në universitet atëkohë, u dërgua me urgjencë në spital, ku qëndroi në komë për katër ditë.

Kur u zgjua, mjekët e njoftuan se shtylla kurrizore i ishte thyer në katër vende.

Të evakuuarit derisa presin të hipin në një Boeing C-17 Globemaster III gjatë evakuimit në Aeroportin e Kabulit më 30 gusht 2021.
Të evakuuarit derisa presin të hipin në një Boeing C-17 Globemaster III gjatë evakuimit në Aeroportin e Kabulit më 30 gusht 2021.

Rreth 170 afganë dhe 13 veta nga personeli ushtarak amerikan u vranë në sulm, që ishte njëri nga më vdekjeprurësit në të gjithë luftën 19-vjeçare, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në Afganistan. Qindra të tjerë si Samsori u plagosën.

Sulmi – përgjegjësinë për të cilën e mori grupi ekstremist Shteti Islamik Khorasan – u bë simbol i tërheqjes kaotike dhe vdekjeprurëse të ushtrisë amerikane nga Afganistani, e cila përfundoi më 31 gusht.

Tre vjet më vonë, të mbijetuarit janë ende të tronditur nga efektet psikologjike dhe fizike të sulmit.

Samsori nuk u kthye kurrë në universitet për t’i përfunduar studimet në letërsinë angleze.

Ai nuk mund të punojë dhe mezi mund të ecë edhe me ndihmën e patericave.
Ai dhe pesë motrat dhe nëna e tij varen nga remitancat që ua dërgon vëllai i tij më i madh, i cili punon në Iranin fqinj.

Familja e Samsorit i shpenzoi të gjitha kursimet e saj dhe shiti një pjesë toke dhe makinën për të financuar trajtimin e tij.

“Shpresoj se Allahu do t’i ndëshkojë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e jetës sime dhe të shumë të tjerëve”, thotë Samsori.

Bashkëvendasi i tij, Meisam Ahmadi, humbi dy vëllezër në sulm.

Alireza Ahmadi, gazetar, dhe Mujtaba Ahmadi, fotoreporter, i ishin bashkuar turmës jashtë portës Abbey në Aeroportin e Kabulit, pasi një mik u tha se forcat amerikane po i lejonin të hynin në aeroport.

“Fatkeqësisht, atje ndodhi shpërthimi dhe të dy humbën jetën”, thotë Ahmadi.

“Krizë e adresuar keq”

Të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të sulmit janë ende në kërkim të përgjigjeve për atë që ka ndodhur.

Dy hetime që kreu Pentagoni, arritën në përfundimin se të gjitha viktimat u shkaktuan nga një kamikaz i vetëm.

Por, një hetim i CNN-it, i bazuar në video-prova të reja dhe i publikuar në prill, sugjeroi se dhjetëra njerëz mund të jenë qëlluar për vdekje nga ushtarët amerikanë.

Ky imazh i shpërndarë nga Forca Ajrore e SHBA-së tregon pjesën e brendshme të Reach 871, një aeroplan i Forcave Ajrore të SHBA C-17 Globemaster III që fluturoi nga Kabuli në Katar më 15 gusht 2021.
Ky imazh i shpërndarë nga Forca Ajrore e SHBA-së tregon pjesën e brendshme të Reach 871, një aeroplan i Forcave Ajrore të SHBA C-17 Globemaster III që fluturoi nga Kabuli në Katar më 15 gusht 2021.

Tri ditë pas sulmit në portën Abbey, ushtria amerikane kreu një sulm me dron, duke shënjestruar, siç tha, një kompleks të Shtetit Islamik Khorasan në Kabul.
Por, sulmi vrau një punonjës afgan të ndihmave dhe nëntë njerëz nga familja e tij e gjerë. Pentagoni e cilësoi atë si “gabim tragjik”.

Michael Semple, ekspert për Afganistanin në Universitetin Queen’s në Belfast, thotë se sulmi i tmerrshëm në Aeroportin e Kabulit nxori në pah adresimin e keq të krizës nga Uashingtoni.

“Ishte koha që SHBA-ja të largohej nga Afganistani, por skenat e trazirave që pamë, të shoqëruara nga masakra që ndodhi në portën Abbey, tregojnë se kriza u adresua keq”, thotë Semple.

Në vitin 2020, Shtetet e Bashkuara dhe talibanët nënshkruan një marrëveshje për tërheqjen në faza të të gjitha trupave të huaja nga Afganistani.

Por, një ofensivë ushtarake e talibanëve në verën e vitit 2021 çoi në rënien e Qeverisë afgane, të mbështetur nga Perëndimi, përpara se forcat ndërkombëtare të largoheshin nga vendi.

Forcat e udhëhequra nga SHBA-ja mbajtën kontrollin e Aeroportit të Kabulit dy javë pas marrjes së pushtetit nga talibanët, duke evakuuar dhjetëra mijëra shtetas të huaj, si dhe afganë të rrezikuar./REL

108
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 26 Gusht, 2024 19:48
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
108
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?