Fibroza Cistike, nga shtatori sigurohet ilaçi “Mikrazym”

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 28 Gusht, 2024 21:11

Fibroza Cistike, nga shtatori sigurohet ilaçi “Mikrazym”

Nga muaji shtator pacientët me fibrozë cistike do të mund të marrin terapi të rregullt. Ilaçi “Kreon” i cili ka qenë në mungesë për një vjet e gjysmë tani do të zëvendësohet me ilaçin “Mikrazym”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë ekskluzivisht për TVM2.

“Me iniciativë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me klinikat përkatëse dhe Agjencinë e Barnave, në muajin shtator pritet të jetë i disponueshëm ilaçi “Mikrazym”, një alternativë gjenerike e ilaçit “Kreon”, me të njëjtin përbërje, formulë farmaceutike dhe dozë, nga një prodhues tjetër, për të siguruar sasi të mjaftueshme për nevojat e pacientëve në vendin tonë.”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga Asociacioni për Fibrozë Cistike e përshëndesin këtë hap të ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë. Përfaqësuesi i këtij Asociacioni, Elmir Sejfullahu, thotë se mungesa e ilaçit “Kreon” deri tani u ka shkaktuar probleme serioze pacientëve me fibrozë cistike. Sipas tij, zëvendësimi i “Kreonit” me ilaçin “Mykrazym” do ta zbusë paksa trajtimin, por thotë se “Kreoni” mbetet ilaçi më efikas për trajtimin e kësaj sëmundjeje.

“Tash që ka pasur mungesë një vjet e gjysmë të “Kreonit”, ka qenë me doza shumë të limituara që ka shkaktuar edhe probleme shëndetësore tek pacientët, për shkak se nëse nuk merret “Kreoni” me çdo ushqim mund të kenë probleme me tretjen, mund të kenë probleme me zorrët dhe disa probleme të tjera. Gjenerika e ilaçit është Pankreatis. Deri në fillim të javës së ardhshme ky ilaç do të jetë nëpër barnatore dhe do ta marrin në të njëjtën mënyrë siç e kanë marrë “Kreonin”. Me një raport nga specialist dhe pastaj në barnatore, ato do të jenë të mbuluara nga fondi. Zëvendësimi i “Kreonit” do ta zbusë paksa trajtimin, por “Kreoni” mbetet ilaçi më efikas për trajtimin e kësaj sëmundjeje.”, – deklaroi përfaqësuesi i Asociacionit për Fibrozë Cistike, Elmir Sejfullau.

Ilaçi “Kreon” ndihmon trupin të absorbojë më lehtë ushqimin. Bëhet fjalë për ilaç me origjinë biologjike, i cili është me prodhim të kufizuar në nivel botëror. Përveç ilaçit “Kreon”, pacientët mbi 12 vjet me Fibrozë Cistike marrin edhe ilaçin “Trikafta”. Sipas statistikës së fundit, në vendin tonë nga sëmundja me Fibrozë Cistike vuajnë rreth 160 pacientë.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 28 Gusht, 2024 21:11