Turqia i dhuron pajisje ushtarake Maqedonisë së Veriut

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 30 Gusht, 2024 19:53

Turqia i dhuron pajisje ushtarake Maqedonisë së Veriut

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Türkiyes dhuroi pajisje ushtarake për Maqedoninë e Veriut.

Në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve ushtarake të mbajtur në kazermën Ilinden në Shkup morën pjesë ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski, shefi i shtabit të përgjithshëm gjeneralmajor Sashko Llafçiski, zëvendës shefi i shtabit të përgjithshëm Azim Nuredin, ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, zv.ministri i Mbrojtjes, Elfet Ismaili, Atasheu Ushtarak i Ambasadës së Türkiyes në Shkup, kolonel Recai Yılmaz dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij në ceremoni, ministri Misajllovski tha se sot janë dëshmitarë jo vetëm të një aleance në veprim, por edhe të miqësisë dhe lidhjes së ndërsjellë që është e dukshme për më shumë se 30 vjet.

Duke uruar 30 gushtin – Ditën e Fitores, Misajllovski tha: “Ky donacion i ardhur nga Türkiye dëshmon edhe një herë miqësinë e vërtetë dhe të qëndrueshme ndërmjet popujve tanë. Me rastin e këtij granti, i cili do të mundësojë forcimin e kapaciteteve të ushtrisë sonë dhe rrjedhimisht paqen, sigurinë dhe stabilitetin e aleancës, në emër të popullit maqedonas dhe ushtrisë së tij shpreh falënderimet për popullin dhe shtetin turk”.

Ai theksoi se se Türkiye është një mike dhe partnere e dëshmuar e vendit të tij dhe se mbështetja e Türkiyes ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në modernizimin e ushtrisë së Maqedonisë së Veriut me pajisje të reja dhe moderne në përputhje me standardet e NATO-s. Misaylovski tha se ata kanë bashkëpunim të madh me Türkiyen në fushën e mbrojtjes.

Ai tërhoqi vëmendjen se misionet e tilla si Misioni i Mbështetjes Vendimtare në Afganistan, KFOR-i në Kosovë dhe Althea në Bosnjë e Hercegovinë, në të cilat marrin pjesë së bashku Türkiye dhe Maqedonia e Veriut, kanë forcuar besimin e ndërsjellë. “Ne në asnjë mënyrë nuk e harrojmë solidaritetin që ju keni ofruar gjatë krizës së Covidit në vitin 2020. Në të njëjtën mënyrë edhe mbështetjen tuaj në luftën kundër zjarreve që rrethuan shtetin kohët e fundit. Türkiye ishte vendi i parë që dërgoi mbështetje ajrore me dy avionë dhe një helikopter”, tha Misajllovski.

Gjithashtu edhe Lafçiski uroi 30 gushtin – Ditën e Fitores dhe tha se sot nuk është vetëm festë e Türkiyes, por në të njëjtën kohë edhe simbol i forcës së miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

Duke theksuar se ata u bashkuan për të konfirmuar vendosmërinë e tyre për të ndërtuar dhe forcuar partneritetin që u ka sjellë atyre shumë përfitime ndër vite, Lafçiski tha: “Türkiye është vendi ynë vëllazëror që ka treguar shumë herë mbështetje dhe miqësi të sinqertë. Ndihma e vazhdueshme që marrim nga Türkiye për zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”.

“Me këtë donacion i cili përfshin pajisje të ndryshme, kemi konfirmuar suksesin e bashkëpunimit dypalësh. Forcimi i aftësive të forcës sonë ushtarake është çelësi i stabilitetit dhe sigurisë së vendit tonë. Bashkëpunimi me Türkiyen është gjithashtu një shtyllë e këtij procesi”, tha Lafçiski.

Ambasadori Ulusoy vuri në dukje se pajisjet ushtarake të dorëzuara nuk janë vetëm një grant. Ai shtoi se ato janë simbol i mbështetjes së tyre për forcimin e aftësive mbrojtëse të Maqedonisë së Veriut.

Ai shprehu kënaqësinë që dorëzimi përkoi me 30 gushtin – Ditën e Fitores, e cila ka një kuptim të madh në aspektin ushtarak për Türkiyen. “Marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut e marrin fuqinë e tyre nga lidhjet e thella historike, kulturore dhe njerëzore. Fakti që veterani Mustafa Kemal Atatürk, themeluesi Türkiyes ka mbaruar shkollën e mesme ushtarake në Manastir është një nga manifestimet e marrëdhënieve tona të rrënjosura thellë”, tha Ulusoy.

“Türkiye ka bërë përparim të madh në çdo fushë, nga industria e mbrojtjes te transporti, nga ekonomia te energjia, nga arsimi te shëndetësia. Ne arritëm eksport prej 5.5 miliardë dollarë vitin e kaluar duke eksportuar 230 lloje produktesh në 185 vende në industrinë e mbrojtjes. Sot, 50 vende përdorin sistemet pa pilot të prodhuara nga kompanitë turke. Ne jemi bërë një vend që zhvillon marrëdhëniet tona, me qasjen ‘fito-fito’, përfshirë industrinë e mbrojtjes. Jemi shumë të kënaqur që aftësitë tona në fushën e industrisë ushtarake dhe të mbrojtjes i ndajmë me vendet mike dhe vëllezërit tanë si Maqedonia e Veriut”, tha Ulusoy, raporton Anadolu.

Ai tha se që nga pavarësia e deri më tani, me Maqedoninë e Veriut ashtu si në çdo fushë marrëdhëniet ushtarake i kanë ndërtuar mbi baza të forta duke vendosur bashkëpunim shumë produktiv.

Ulusoy për të pranishmit përcolli përshëndetjet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe theksoi vendosmërinë e tyre për të vazhduar rritjen e bashkëpunimit dhe mbështetjen bashkë me periudhën e re.

Pas fjalimeve, atasheu ushtarak i Ambasadës së Shkupit, kolonel Recai Yılmaz dhe shefi i Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Kërste Malinkovski nënshkruan protokollin e grantit.

Granti i dhënë në kuadër të protokollit për ushtrinë e Maqedonisë së Veriut, përbëhet nga dronë, pajisje komunikimi, syze për shikim natën dhe pajisje për mbrojtje.

21
SONDAZHI

Nëse nesër mbahen zgjedhjet, kush i fiton?

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 30 Gusht, 2024 19:53
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
21
SONDAZHI

Nëse nesër mbahen zgjedhjet, kush i fiton?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?