Ish-Avokati i Shtetit Fehmi Stafa dyshohet për 50 mijë euro ryshfet për ndikim te gjyqtari
Ministria e Punëve të Brendshme ka zbardhur detaje të rënda lidhur me arrestimin e ish-Avokatit të Shtetit, Fehmi Stafa, i cili dyshohet për mitmarrje dhe tentativë për të ndikuar drejtpërdrejt në një gjyqtar të Gjykatës së Apelit në Shkup.
Sipas komunikatës zyrtare të MPB-së, veprimet e dyshuara janë zhvilluar në periudhën nga tetori deri më 13 dhjetor 2025, gjatë së cilës Stafa ka pranuar një shumë totale prej 50.000 eurosh për të ndërmjetësuar dhe shfrytëzuar ndikimin e tij real në sistemin e drejtësisë.
“I dyshuari ka pranuar mjete financiare për të ndërmjetësuar dhe për të shfrytëzuar ndikimin e tij real, me qëllim që të ndërhyjë te një gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Shkup dhe, përmes ryshfetit ndaj gjyqtarit, të ndikojë në kryerjen e një veprimi zyrtar që nuk do të duhej të kryhej”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sipas policisë, Stafa fillimisht ka kërkuar 100.000 euro, me premtimin se do të ndikonte në heqjen e masës së paraburgimit ndaj një personi që aktualisht ndodhet në arrati dhe është i pakapshëm për organet e ndjekjes penale. Bëhet fjalë për një person kundër të cilit Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon procedurë penale për vepra të rënda që lidhen me financat publike, qarkullimin pagesor dhe ekonominë.
“Më 06.10.2025, i dyshuari ka pranuar një pjesë të shumës së kërkuar, konkretisht 30.000 euro, të dorëzuara nga motra e personit në arrati”, njofton MPB-ja.
Kulmi i rastit ka ndodhur më 13 dhjetor 2025, kur Stafa ka kërkuar dhe ka pranuar drejtpërdrejt edhe 20.000 euro të tjera, si pjesë e ryshfetit që kishte deklaruar se do t’ia dorëzonte gjyqtarit.
“Pas pranimit të parave, i dyshuari është ndaluar dhe gjatë kontrollit tek ai janë gjetur mjetet financiare”, theksohet në komunikatë.
Rasti ka hapur një tjetër kapitull të errët për sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa autoritetet paralajmërojnë vazhdimin e hetimeve për zbardhjen e plotë të kësaj afere që trondit besimin publik në institucionet shtetërore. Gazeta Flaka


















