AKI: Kandidat pa shanse, projekt milionësh – Nga vijnë milionat e Nevzat Bejtës për betonizimin e Mavrovës?


Aleanca Kombëtare për Integrim – Gostivar ka reaguar ashpër ndaj projektit të ashtuquajtur “zhvillim turistik” në Parkun Kombëtar “Mavrovë”, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje të rrezikshme, të paligjshme dhe me motive të dyshimta financiare e politike.
Sipas AKI-së, ajo që po tentohet të imponohet në Mavrovë nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm apo turizmin ekologjik, por përfaqëson një përpjekje të hapur për betonizim të një zone të mbrojtur, përmes anashkalimit të ligjit, mungesës së transparencës dhe kapjes së institucioneve.
Aleanca thekson se Plani i Menaxhimit të Parkut Kombëtar “Mavrovë” është i qartë dhe i prerë: në zonën e menaxhimit aktiv ndalohet ndërtimi i objekteve të reja turistike. Ky dokument, sipas AKI-së, është akt zyrtar me fuqi ligjore dhe ka përparësi ndaj çdo iniciative urbane të improvizuar. Çdo injorim i tij përbën shkelje të drejtpërdrejtë ligjore dhe cenim serioz të interesit publik.
Veçanërisht problematik vlerësohet përdorimi i modelit “projekt urbanistik jashtë planit urbanistik” për komplekse hoteliere dhe vendbanime të reja. Sipas AKI-së, ky është një manipulim i hapur i dispozitave ligjore, pasi ky mekanizëm është menduar për ndërtime minimale dhe raste të veçanta, e jo për ndërhyrje masive që ndryshojnë strukturën mjedisore, urbanistike dhe ekonomike të një zone të tërë. Vetë përmasat e projektit e bëjnë të detyrueshëm hartimin e një plani të detajuar urbanistik, me debat publik dhe vlerësim të plotë të ndikimit mjedisor.
AKI shpreh shqetësim të thellë edhe për mënyrën se si procedura po shtyhet në heshtje, pa përfshirje reale të publikut dhe pa ballafaqim me opinionet e ekspertëve, çka sipas tyre tregon tentativë për ta kaluar projektin “në fshehtësi”, duke shfrytëzuar boshllëqe procedurale dhe heshtjen institucionale.
Një element tjetër alarmues, sipas reagimit, është konflikti i interesit. Disa nga parcelat e përfshira në projekt rezultojnë të jenë pronë e djalit të Nevzat Bejtës, ish-kryetar i Gostivarit dhe aktualisht kandidat i VLEN-it. Në këtë kontekst, AKI ngre dyshimin se kandidimi i Bejtës për kryetar komune nuk ka motiv real politik apo elektoral, por shërben si instrument presioni për të siguruar leje ndërtimi dhe mbrojtje politike për një projekt milionësh.
“Kur një kandidat hyn në garë pa shanse reale për fitore, por familjarisht është i përfshirë në projekte që varen drejtpërdrejt nga vendimet e institucioneve, lind pyetja legjitime nëse politika po përdoret si mjet për interesa private”, thuhet në reagim.
Aleanca Kombëtare për Integrim kërkon ndalimin e menjëhershëm të procedurës, respektimin e plotë të Planit të Menaxhimit të Parkut Kombëtar “Mavrovë” dhe hapjen e një debati publik të vërtetë.
Në fund, AKI ngre edhe pyetjen kyçe për opinionin publik dhe institucionet përgjegjëse:
Nga i ka siguruar Nevzat Bejta mjetet financiare milionëshe për projekte të këtij përmasimi?
A ekziston përputhje reale mes pasurisë së deklaruar dhe ambicieve ndërtimore që sot paraqiten si “investim privat”, apo kemi të bëjmë me një tjetër rast ku pushteti politik shndërrohet në kapital ekonomik, pa transparencë dhe pa llogaridhënie?
“Mavrova nuk është pronë private dhe nuk mund të shndërrohet në monedhë shkëmbimi politik”, përfundon reagimi i Aleancës Kombëtare për Integrim – Gostivar.





















