Gostivari miraton buxhet rekord prej 35 milionë eurosh për vitin 2026

Komuna e Gostivarit do të hyjë në vitin 2026 me buxhetin më të madh ndonjëherë, në vlerë prej 35 milionë eurosh, që përfaqëson një rritje prej rreth 4.5 milionë eurosh krahasuar me vitin paraprak, raporton Flaka.
Para Këshillit Komunal, përfaqësuesi i Sektorit për Financa dhe Buxhet, Jeton Osmani, prezantoi detajet e buxhetit të propozuar, duke theksuar se rreth 17 milionë euro janë të dedikuara për paga dhe kontribute. Këto mjete përfshijnë të punësuarit në administratën komunale, njësinë e zjarrfikësve, si dhe stafin arsimor në shkollat fillore, të mesme dhe në çerdhet për fëmijë.
Sipas Osmanit, viti 2026 do të karakterizohet nga një fokus i shtuar në zhvillim dhe investime infrastrukturore. Për këtë qëllim, shpenzimet kapitale janë planifikuar në mbi 11 milionë euro, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitet e kaluara.
Buxheti, së bashku me të gjitha pikat përbërëse, u miratua njëzëri nga Këshilli Komunal i Gostivarit, çka tregon konsensus të plotë për drejtimin financiar dhe prioritetet zhvillimore të komunës. Në të njëjtën seancë u miratuan edhe programet dhe buxhetet e ndërmarrjeve publike, si dhe disa pika nga fusha e arsimit, kulturës, sportit dhe urbanizmit. Gazeta Flaka






















