Nevzat Bejta kërkon sqarime për pagesa të realizuara përmes agjencive të punësimit

Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, ka hedhur akuza të rënda ndaj ish drejtuesve të pushtetit lokal, duke i akuzuar për keqpërdorime financiare në vlerë prej rreth 550 mijë eurosh. Në një konferencë për shtyp, Bejta deklaroi se këto mjete janë shpenzuar për paga të punonjësve që, sipas tij, nuk kanë ushtruar fare detyrat e tyre në vendin e punës.
Ai sqaroi se pagesat janë realizuar përmes një agjencioni ndërmjetësimi për punësim, mekanizëm i cili, siç pretendon, ka shërbyer për të siguruar paga për persona të caktuar pa angazhim real pune.
Bejta u zotua se, nëse merr drejtimin e komunës, praktika të tilla do të marrin fund menjëherë. Sipas tij, Gostivari është dëmtuar rëndë nga qeverisjet e deritanishme dhe ka nevojë për një qasje të re, të përgjegjshme dhe transparente për ta nxjerrë qytetin nga kriza.
Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se edhe në ditët dhe javët në vijim do të vazhdojë të publikojë informacione për, siç i quajti, keqpërdorimet e realizuara gjatë tetë viteve të fundit në Komunën e Gostivarit. Gazeta Flaka






















