Reshjet e borës paralizojnë qarkullimin drejt disa fshatrave të Shkupit
Reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar probleme serioze në disa fshatra malorë të Shkupit, të cilët vazhdojnë të mbeten të bllokuar për shkak të rrugëve të papastruara. Si pasojë, transporti publik i Shkupit sot nuk ka qarkulluar drejt fshatrave Rashçe, Nikishtan, Koliçani i Poshtëm, Sushicë dhe Bllacë.
Banorët e fshatit Rashçe kanë deklaruar më herët për Alsat se, për të kryer obligimet e përditshme dhe për t’u mundësuar nxënësve ndjekjen e mësimit, janë të detyruar të gjejnë alternativa të tjera udhëtimi, për shkak të mungesës së transportit publik.
Sa i përket rrugëve shtetërore, nga Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë (LAM) njoftojnë se të gjitha akset janë të kalueshme dhe të sigurta për trafik. Megjithatë, për shkak të reshjeve të borës, shoferëve u rekomandohet drejtim i kujdesshëm.
Nga LAM bëjnë të ditur se ekipet e Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë” janë në terren dhe po vazhdojnë pastrimin e borës me mekanizmin e tyre.
“Në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike ‘Rrugët Shtetërore’ dhe Ministrinë e Transportit, po zhvillohen aktivitete të koordinuara për të siguruar qarkullim të sigurt dhe të pandërprerë të trafikut. Rekomandohet përdorimi i detyrueshëm i pajisjeve dimërore, respektimi i sinjalistikës rrugore dhe përshtatja e shpejtësisë sipas kushteve të rrugës”, thuhet në njoftimin e LAM.
Ndërkohë, sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), për shkak të kushteve atmosferike, pa energji elektrike kanë mbetur banorët e fshatit Ilino, në komunën e Demir Hisarit. Ekipet e EVN-së tashmë ndodhen në terren dhe po punojnë për eliminimin e defektit, ndërsa rrugët që çojnë drejt fshatit janë duke u pastruar.
Në komunën e Kërçovës, disa akse rrugore drejt fshatrave malore ende po pastrohen dhe pritet që gjatë ditës së sotme të bëhen plotësisht të kalueshme. Në rrugën rajonale Krushevë – Pusta Rekë po zhvillohen ndërhyrje për pastrim, ndërsa kjo rrugë aktualisht është e kalueshme vetëm për automjete terreni dhe automjete të pajisura me pajisje dimërore.
Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike njoftojnë se gjatë ditëve në vijim moti do të jetë i ndryshueshëm, me reshje shiu, ndërsa në zonat më të larta priten edhe reshje bore. Në Shkup, temperaturat minimale pritet të zbresin deri në -4°C, ndërsa ato maksimale të arrijnë deri në 8°C.
Flaka
















