Arbër Ademi: “Cilësia” pa barazi është diskriminim i paketuar si etikë

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 1 Shkurt, 2026 16:05

Arbër Ademi: “Cilësia” pa barazi është diskriminim i paketuar si etikë

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër pas shpalljes së rezultateve të konkurseve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për projektet vjetore me interes nacional për vitin 2026, duke akuzuar pushtetin për përjashtim sistematik të kulturës shqiptare, të maskuar me retorikë mbi “etikën” dhe “cilësinë”.

“Kur ‘etika’ vendoset para etnisë, kur ‘cilësia’ vendoset mbi përfaqësimin etnik, diskriminimi shitet si parim, ndërsa pafuqia politike maskohet me broçkulla morale,” ka shkruar Ademi. Sipas tij, në emër të cilësisë “përjashtimi kthehet në normë, ndërsa padrejtësia në politikë shtetërore”.

Reagimi i Ademit vjen pasi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, në një konferencë për media, prezantoi rezultatet e konkurseve për vitin 2026. Sipas të dhënave zyrtare, në dhjetë kategori konkurruese janë paraqitur gjithsej 2.618 aplikime. Lutkov theksoi se procesi i përzgjedhjes është zhvilluar mbi bazë të kritereve të qarta, prioriteteve të përcaktuara dhe vendimeve të komisioneve profesionale.

“Ky është një mesazh i qartë se kultura ka mbështetje dhe se shteti qëndron pas artistëve, institucioneve dhe punonjësve të saj,” deklaroi ministri. Ai bëri të ditur se buxheti i përgjithshëm i Ministrisë për vitin 2026 arrin në 5 miliardë e 194 milionë e 975 mijë denarë, rreth 519 milionë denarë më shumë se vitin e kaluar. Ndërsa për projektet me interes kombëtar në kulturë janë ndarë 1 miliardë e 70 milionë e 417 mijë denarë.

I pyetur për përqindjen e projekteve që i përkasin kulturës shqiptare dhe komuniteteve të tjera, Lutkov u shpreh se nuk ndihej rehat të fliste në terma përqindjesh. “Nuk mund të lejojmë që të kemi përqindje 20 apo 25 për qind. Nuk mund të përcaktojmë përfaqësim me matematikë. Do të mbështesim projekte cilësore,” tha ai, duke shtuar se në komisione ka edhe shqiptarë, turq dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera.

Ministri njoftoi gjithashtu se fondet janë rritur në disa aktivitete, me fokus në krijimtarinë bashkëkohore, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe industritë krijuese. “Programi vjetor për vitin 2026 është provë se ne nuk e shohim kulturën si shpenzim, por si investim strategjik në identitetin tonë kombëtar dhe në të ardhmen e shoqërisë,” deklaroi Lutkov.

Por për Arbër Ademin, kjo qasje është problematike. Ai vlerëson se refuzimi për të folur për përfaqësim etnik nuk është neutralitet, por shmangie e përgjegjësisë. “Ironia është se, në emër të ‘cilësisë’, përjashtimi normalizohet dhe padrejtësia institucionalizohet,” thekson Ademi, duke paralajmëruar se debati për barazi reale në kulturë nuk mund të mbyllet me fraza morale.

Reagimi i tij hap sërish diskutimin mbi balancën mes meritës dhe përfaqësimit etnik në politikat kulturore të shtetit, në një kontekst ku barazia mbetet çështje e hapur politike. Gazeta Flaka

84
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 1 Shkurt, 2026 16:05
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
84
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?