Ambasadori Meidani: Dialogu ndërfetar është kyç për kohezionin shoqëror
Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, zhvilloi një takim të ngrohtë dhe miqësor me Peshkopin Dede Naum, të cilin e vlerësoi si një personalitet të rrallë dhe frymëzues.
“Peshkopi Dede Naum është një figurë e veçantë, erudit me njohuri të thella në histori dhe gjuhë, me një jetë të pasur të mbushur me arritje, pozitivitet dhe angazhim të vazhdueshëm për komunitetin,” u shpreh ambasadori Meidani. Sipas tij, Naum frymëzon me qetësinë, mençurinë dhe tolerancën që mishëron në veprimtarinë e tij shpirtërore dhe shoqërore.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan për rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe ndërkomunitar, si dhe për rolin thelbësor që institucionet shpirtërore kanë në forcimin e kohezionit shoqëror. “Në kohët që po jetojmë, mirëkuptimi, respekti dhe empatia janë më të nevojshme se kurrë,” theksoi Meidani.
Ambasadori shqiptar vlerësoi se Peshkopi Dede Naum mbetet shembull i një udhëheqësi që ndërton ura mes njerëzve dhe komuniteteve. “Angazhimi i tij për promovimin e bashkëjetesës dhe vlerave njerëzore është një kontribut i çmuar për shoqërinë në tërësi,” përfundoi Meidani. Gazeta Flaka

















