Meidani takon zëvendësguvernatorin e Bankës Popullore të RMV-së: Fokus te ekonomia, gjuha shqipe dhe integrimi financiar evropian
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka zhvilluar një takim me Zëvendësguvernatorin e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, Fadil Bajrami, ku janë diskutuar çështje me rëndësi ekonomike, politike dhe zhvillimore.
“Kënaqësi takimi me Zëvendësguvernatorin e Bankës Popullore të RMV-së, Fadil Bajrami,” ka deklaruar Meidani, duke theksuar se gjatë bisedës janë prekur zhvillimet aktuale politike në vend dhe ndikimi i tyre në ekonomi, si dhe sfidat që lidhen me perspektivën zhvillimore.
Një theks i veçantë i takimit ka qenë përdorimi i gjuhës shqipe në sistemin bankar, si element kyç për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe transparencës ndaj qytetarëve.
“Diskutuam për rëndësinë e përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin bankar, në funksion të përmirësimit të shërbimit dhe rritjes së transparencës për qytetarët,” ka theksuar ambasadori shqiptar.
Meidani ka vlerësuar gjithashtu aderimin e Maqedonisë së Veriut në sistemin SEPA, duke e cilësuar atë si një hap strategjik drejt integrimit financiar evropian.
“E përgëzova për aderimin në sistemin SEPA – një hap i rëndësishëm drejt integrimit financiar evropian dhe lehtësimit të pagesave për qytetarët dhe bizneset,” është shprehur ai.
Sipas ambasadorit Meidani, takimi ka riafirmuar nevojën për ndërtimin e një shoqërie më aktive, më të përgjegjshme dhe më progresive, ku institucionet financiare luajnë rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin shoqëror. Gazeta Flaka

















