Dhjetëra tonë drogë të sekuestruara në Maqedoninë e Veriut
Kryeministri Hristijan Mickoski, në një paraqitje në lajmet e MRT-së, duke folur për pesë tonët e drogës që përfunduan në Serbi – e që sipas Prokurorisë serbe kanë origjinë nga Maqedonia – deklaroi se bëhet fjalë për një rast serioz, i lidhur me një projekt të udhëhequr nga qeveria e mëparshme, i cili sipas tij ishte shndërruar në “politikë ekonomike” të LSDM-së dhe BDI-së, njofton Gazeta Flaka.
Mickoski tha se pret që ditëve në vijim Ministria e Punëve të Brendshme të dalë me informacione për sekuestrimin e dhjetëra tonëve drogë, jo vetëm disa tonë, të cilat janë konstatuar se janë futur ilegalisht në qarkullim ose janë ruajtur në mënyrë të paligjshme.
“Ky është një rast serioz. Një projekt që në të kaluarën u udhëhoq nga qeveria e mëparshme dhe që mashtroi shumë qytetarë dhe investitorë, duke u premtuar se do të bëheshin milionerë dhe se do të ndodhte një transformim ekonomik. Kjo ishte në fakt politika ekonomike e qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së. Pres që ditëve në vijim MPB të publikojë dhjetëra tonë të këtyre mjeteve të ndaluara – drogë, në këtë rast marihuanë – që aktualisht ndodhet në depo në Maqedoni, ose për të cilën janë konstatuar marrëdhënie të paligjshme mes subjekteve juridike, brenda dhe jashtë shtetit”, theksoi Mickoski.
Ai shtoi se ajo që qytetarët do të dëgjojnë në ditët në vijim për atë që ka ndodhur në të kaluarën do të jetë “vërtet katastrofike”, duke theksuar se krijuesit e këtyre politikave duhet të mbajnë përgjegjësi për shumë të rinj që, sipas tij, janë bërë viktima të këtij sistemi.
“Qytetarët do të jenë dëshmitarë të një situate shumë të rëndë dhe të dhimbshme që ka ndodhur. Ky është një aksion që zgjat prej kohësh, jo vetëm tani, por jo gjithmonë kemi pasur mundësi të publikojmë shifra dhe të dhëna në mënyrë transparente. Ajo që do të shohin dhe dëgjojnë qytetarët këto ditë, madje që sot, do të jetë vërtet diçka katastrofike dhe të gjithë krijuesit e atyre politikave duhet të mbajnë përgjegjësi për pasojat”, deklaroi Mickoski. Gazeta Flaka

















