Osmani: Mesazhe të qarta nga Uashingtoni për stabilitetin institucional dhe kushtetues
Zëvendëskryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka zhvilluar takime të ndara dhe të drejtpërdrejta në Uashington me figura kyçe të politikës dhe ekspertizës amerikane: anëtarin e Kongresit amerikan Tommy Gonzalez, ish-Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën Philip Reeker, si dhe profesorin dhe njohësin e Ballkanit, Edward Joseph.
Sipas Osmanit, mesazhet e përcjella në këto takime kanë qenë të qarta dhe të pandryshueshme në thelb.
“Qeveria e Përzhinës duhet të mbetet si mekanizëm funksional për tejkalimin e krizave politike dhe garantimin e stabilitetit institucional”, ka theksuar Osmani.
Një fokus i veçantë i bisedimeve ka qenë edhe Gjykata Kushtetuese dhe roli i saj në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe marrëveshjeve themelore të shtetit.
“Gjykata Kushtetuese duhet të çlirohet nga çdo formë e kapjes politike dhe të ndalë çdo tentativë për cenimin e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit”, ka deklaruar Osmani.
Ai ka nënvizuar se partnerët në Uashington e shohin parimin e shumicës së dyfishtë si shtyllë themelore të funksionimit demokratik të shtetit multietnik.
“Parimi i shumicës së dyfishtë gjatë zgjedhjes së Qeverisë mbetet shpirti i demokracisë sonë funksionale multietnike dhe nuk është çështje negociuese”, ka përfunduar Osmani.
Takimet, sipas tij, konfirmojnë se vëmendja ndërkombëtare ndaj zhvillimeve institucionale dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut mbetet e lartë, veçanërisht në kontekstin e stabilitetit rajonal dhe orientimit euroatlantik të vendit. Gazeta Flaka

















