Arber Ademi: VLEN-i shpik justifikime, Mickoski demanton dhe u jep të drejtë studentëve
Nënkryetari i BDI-së, Arber Ademi, ka reaguar sot lidhur me peticionin e studentëve shqiptarë për të dhënë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, duke theksuar se përfaqësuesit e VLEN-it janë përpjekur të gjejnë arsyetime të trilluar për të fshehur paaftësinë e tyre, transmeton Flaka
“Që nga fillimi i peticionit të studentëve për ta dhënë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, përfaqësuesit e VLEN-it u përpoqën të gjejnë dhe të shpikin lloj-lloj arsyetimesh për ta fshehur pafuqinë e tyre dhe për të trilluar akuza me qëllim që fajin t’ua hedhin të tjerëve. Madje, njëri prej tyre arriti deri aty sa ta akuzojë edhe Ambasadën e Shqipërisë, duke pretenduar se ajo paska qenë ‘e painformuar’ se gjuha shqipe nuk është zyrtare”, deklaroi Ademi.
Ai theksoi se kryeministri Hristijan Mickoski ka reaguar duke i demantuar dhe demaskuar këto pretendime, duke i dhënë të drejtë studentëve:
“Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë, provimi në gjuhën shqipe duhet t’u mundësohet studentëve”, tha Mickoski.
Arber Ademi shtoi se përfaqësuesit e VLEN-it duhet të mësojnë një mësim nga kjo ngjarje:
“Në vend se të merren me gjetjen e fajtorëve, me shpikjen e arsyetimeve dhe me trillimin e akuzave, le të përqendrohen në ushtrimin e përgjegjësisë që e kanë marrë dhe në mbrojtjen e interesave të atyre që pretendojnë se i përfaqësojnë.”
Ai përgëzoi studentët për iniciativën dhe këmbënguljen e tyre:
“Studentëve: bravo për iniciativën dhe këmbënguljen tuaj! Ne gjithmonë do të jemi krah kërkesave tuaja të drejta!”
Ademi përmendi gjithashtu edhe përgjegjësinë e Ministrit të Drejtësisë, Bojan Filkov:
“Ministri Filkov duhet të japë dorëheqje. Nëse partnerët e tij nuk e kërkojnë këtë, ne do të përdorim çdo mekanizëm institucional dhe demokratik për ta larguar nga detyra një ministër që haptazi shkel Ligjin dhe Kushtetutën.”
Ky reagim i BDI-së vjen në një moment kur çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është bërë simbol i respektimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe i mbrojtjes së të drejtave kushtetuese të studentëve shqiptarë. Gazeta Flaka
















