Arta Bilalli Zendeli: Ligji dhe gjuha shqipe kanë qenë aty gjithmonë – studentët kanë të drejtë provimin në shqip
Arta Bilalli Zendeli, zëdhënëse dhe nënkryetare e BDI-së, ka reaguar sot pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski, që konfirmoi publikisht se çdo student ka të drejtë ta japë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe me kërkesë të tij, transmeton Gazeta Flaka
“Senzacioni i ditës apo i vitit? Ligji dhe Gjuha Shqipe paskan qenë aty tërë kohën. Në fakt, sot, edhe vetë Kryeministri e konfirmoi publikisht se ligji është i qartë: çdo student ka të drejtë ta japë provimin në gjuhën shqipe, me kërkesë të tij. Refuzimi i zbatimit të ligjit nuk mund t’iu faturohet atyre që e kanë ndërtuar atë, por atyre që sot kanë përgjegjësinë ta zbatojnë”
Bilalli Zendeli theksoi rëndësinë e mbrojtjes dhe zbatimit të të drejtave ligjore:
“Të drejtat nuk dhurohen, ato mbrohen dhe zbatohen. BDI do të jetë gjithmonë në anën e studentëve dhe të barazisë reale. Kjo nuk është çështje politike, por e drejtë ligjore e fituar me përkushtim dhe betejë institucionale ndër vite – betejë që #BashkimiDemokratikPërIntegrim e ka udhëhequr me dije, me guxim dhe me zë”
Deklarata e saj thekson se mbështetja e BDI-së ndaj studentëve shqiptarë nuk është thjesht politike, por një angazhim institucional dhe ligjor për respektimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Gazeta Flaka
















