Limani apel për reagim urgjent pas vërshimeve në Gostivar: Situata kërkon zgjidhje të shpejtë
Kryetari i Komunës së Gostivar, Valbon Limani, ka reaguar lidhur me situatën e rënduar nga vërshimet në zonat e banuara, duke bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për menaxhimin e ujërave.
Në një deklaratë publike, Limani theksoi se komuna po ndjek me shqetësim zhvillimet në terren dhe se ekipet komunale janë të angazhuara maksimalisht për përballimin e situatës.
“Me shqetësim po ndjek situatën me vërshimet në zonat e banuara të Gostivarit,” – deklaroi Limani.
Ai apeloi që institucionet që kanë kompetenca direkte mbi rrjedhat ujore të ndërhyjnë sa më shpejt.
“Përkundrejt përpjekjeve maksimale që bëjmë si Komunë, së bashku me ndërmarrjet komunale, dua të apeloj për zgjidhje sa më të shpejtë të situatës nga ELEM-i që ka kompetencat për menaxhimin e ujërave të Vardarit dhe zyrave të Ekonomizimit të Ujërave, përgjegjëse për sistemin e ujitjes,” – u shpreh ai.
Sipas kryetarit të komunës, është ngritur alarm edhe pranë Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), ndërsa qytetarët janë ftuar të tregojnë kujdes maksimal.
“Si Komunë kemi ngritur alarm edhe te QMK, andaj lusim çdo qytetarë të evitojnë daljet nga shtëpia pa nevojë,” – apeloi Limani.
Ai shtoi se vështirësitë nga reshjet dhe vërshimet po ndihen në të gjithë rajonin e Pollog.
“Vështirësi të mëdha po hasen në të gjithë rajonin e Pollogut. Ju lutem veproni sa më shpejt,” – përfundoi kryetari i Gostivar.
Autoritetet lokale ndërkohë vazhdojnë monitorimin e gjendjes në terren, ndërsa qytetarët këshillohen të ndjekin udhëzimet zyrtare deri në stabilizimin e situatës. Gazeta Flaka


















