Akademi përkujtimore në Shkup për dëshmorët e parë të rënë në Tanushë
Në përvjetorin e rënies së dëshmorëve të parë në krismat e para të luftës çlirimtare të UÇK-së, nga beteja e parë në Tanushë – Karadak të Shkupit, sot në kryeqytet do të mbahet Akademi Përkujtimore në nderim të tyre.
Akademia organizohet nga Këshilli Organizativ, në bashkëpunim me Shoqatën e Veteranëve të Luftës, familjarët e dëshmorëve dhe studentët e Universiteti “Nënë Tereza”.
Kjo ngjarje i kushtohet përkujtimit të dëshmorëve: Muzafer Xhaferi (16 shkurt), Shpend Mazrekaj (6 mars), Nijazi Sinani (8 mars), Qemal Shaqiri (16 mars), Gazmend Arifi (16 mars) dhe Elham Curri (16 mars).
“Këta dëshmorë u bënë themeli i qëndresës dhe i shtrirjes së luftës në të gjitha trevat shqiptare në Maqedoni. Sakrifica e tyre mbetet simbol i përjetshëm i përkushtimit për liri,” thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Sipas tyre, përkujtimi i rënies së tyre nuk është vetëm akt ceremonial, por rikujtim i një kapitulli që ka shënuar historinë më të re të shqiptarëve në vend.
“Detyra jonë është ta ruajmë kujtesën historike dhe ta përcjellim te brezat e rinj domethënien e asaj sakrifice,” theksohet më tej në komunikatë.
Aktivitetet përkujtimore do të zhvillohen gjatë gjithë ditës. Në ora 10:00 do të bëhet vendosje lulesh pranë Shqiponjës në Shkup. Në ora 12:00 do të mbahen homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Tanushë, ndërsa më pas do të vendosen lule pranë emblemave të UÇK-së në Karadakun e Shkupit.
Akademia Përkujtimore do të mbahet në ora 17:00 në Teatri Shqiptar – Shkup.
Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës, përfaqësues institucionalë, studentë dhe qytetarë.
Organizatorët u kanë bërë thirrje mediave që ta përcjellin këtë ngjarje, të cilën e cilësojnë si me rëndësi historike dhe kombëtare. Gazeta Flaka


















