Meidani uron Kosovën: “Një komb, një zemër, përherë të lirë dhe përherë përpara”
Me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Denion Meidani ka përcjellë një mesazh urimi, duke theksuar sakrificën historike dhe rëndësinë e lirisë për shtetësinë e vendit.
“Urime Dita e Pavarësisë, Kosovë”, shkruan Meidani, duke nënvizuar se kjo ditë është moment reflektimi për rrugën e gjatë që çoi drejt lirisë.
“Sot kujtojmë rrugën e gjatë të sakrificës dhe qëndresës që çoi drejt lirisë dhe shtetësisë. Kosova jonë e lirë mbetet simbol i dinjitetit, guximit dhe vendosmërisë së popullit që zgjodhi të jetojë i lirë në tokën e vet”, thekson ai.
Në mesazhin e tij, Meidani e cilëson Kosovën si pjesë të pandarë të vetëdijes kombëtare shqiptare.
“Kosova sot është shtet, krenari dhe pjesë e pandarë e vetëdijes sonë kombëtare; një komb, një zemër, përherë të lirë dhe përherë përpara”, shprehet ai.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të shqiptarëve në Ballkan. Gazeta Flaka


















