Google paralajmëron: Të miturit mund të humbasin qasjen në Gmail në Australi
Google ka paralajmëruar se projektligji i ri australian për sigurinë në internet mund të sjellë kufizime për personat nën moshën 18-vjeçare, duke përfshirë edhe mundësinë e bllokimit të qasjes në shërbimin Gmail.
Shqetësimi u ngrit nga Rachel Lord, përgjegjëse për politikat e YouTube në Australi dhe Zelandën e Re, gjatë një seance dëgjimore në Senatin australian më 9 nëntor.
Ajo tha se dispozitat që kërkojnë verifikimin e moshës për të parandaluar ekspozimin e fëmijëve ndaj përmbajtjeve pornografike mund të prekin edhe shërbimet e zakonshme të komunikimit, si posta elektronike, mesazhet private dhe ruajtja e skedarëve.
Kundërshtime kanë shprehur edhe Meta, TikTok dhe Snap. Kompanitë paralajmërojnë se kompetencat e gjera të autoriteteve dhe gjobat e mundshme deri në 109.2 milionë dollarë australianë mund t’i shtyjnë platformat të largojnë më shumë përmbajtje sesa është e nevojshme.
Projektligji, i njohur si “Digital Duty of Care”, ka kaluar Dhomën e Përfaqësuesve, por ende ka nevojë për miratimin e Senatit. Qeveria australiane e mbron nismën si një masë për të rritur sigurinë e përdoruesve në internet, veçanërisht të fëmijëve.
Kjo nismë vjen pas kufizimeve për përdorimin e rrjeteve sociale nga personat nën 16 vjeç, të cilat hynë në fuqi në Australi më 10 dhjetor 2025.
Flaka












