Maqedonia e Veriut: Studentët e drejtësisë kërkojnë provimet në gjuhën shqipe
Plot 385 studentë shqiptarë të fakulteteve juridike në RMV kanë nënshkruar një peticion me një kërkesë të qartë dhe legjitime: provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, transmeton Flaka.
Që nga koha kur isha kryetar i Parlamentit Studentor, kam nisur këtë iniciativë për ta bërë të mundur zhvillimin e këtij provimi — më të rëndësishmit për juristët — edhe në gjuhën tonë amtare. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite, deri më sot kemi hasur vetëm në vesh të shurdhër.
Por sot nuk jam më vetëm. Sot, 385 juristë të së ardhmes janë bashkuar për të kërkuar një të drejtë të garantuar me Kushtetutë.
Kërkesa është dorëzuar zyrtarisht në Ministrinë e Drejtësisë, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendin dhe Qeverinë e RMV-së. Dokumentin e plotë e gjeni të bashkëngjitur më poshtë.
Tani mbetet të shohim sa peshë ka zëri i rinisë.
Faleminderim i veçantë për të gjithë kolegët që e përkrahën këtë nismë — veçanërisht Jon Selmani, Amra Hakiki dhe Yll Rustemi — si dhe për secilin student që e bëri këtë peticion realitet.
“E drejta e gjuhës amtare nuk është privilegj, por themel i barazisë dhe meritokracisë.” — Mevlan Ademi.
Narrativa e pushtetit aktual VMRO-ZNAM: Në punësime duhet të respektohet meritokracia, cilësia dhe kualiteti. Atëherë, për t’i dhënë kuptim këtyre parimeve, duhet të krijohen kushte dhe barazi reale për të gjithë studentët, pa dallim gjuhe apo përkatësie. Gazeta Flaka
(Fotografia që përcjell lajmin u përgatit përmes Intlegjencës Artificiale, për të demonstruar përmbajtjen e lajmit).

















