Tetova me buxhet rekord për 2026, nis transporti publik falas
Me 27 vota “për”, Këshilli Komunal i Tetovës ka miratuar buxhetin e Komunës për vitin 2026, i cili kap vlerën prej 45,5 milionë eurosh. Sipas kryetarit të Komunës, Bilall Kasami, mbi 40 për qind e buxhetit, apo rreth 17,5 milionë euro, janë të dedikuara për investime kapitale.
Kasami theksoi se buxheti i vitit 2026 është zhvillimor dhe parasheh realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e shkollave të reja, rrugëve, pishinave, si dhe investime në ujësjellës dhe kanalizim. Ai njoftoi gjithashtu se nga janari i vitit 2026 do të nisë edhe transporti publik falas për qytetarët e Tetovës, një premtim i dhënë më herët.
“Është një buxhet zhvillimor që parashikon ndërtimin e shkollave të reja, rrugëve të reja, pishinave, ujë, kanalizim dhe gjithçka që ka të bëjë me një qytet më të mirë. Me përgatitjet që do t’i bëjë ndërmarrja, nga janari do të nisë edhe implementimi i premtimit parazgjedhor që qytetarët e Tetovës të kenë transport falas”, deklaroi Kasami.
Nga ana tjetër, grupi këshilltar “Më mirë për Tetovën” ka shprehur kritika ndaj buxhetit, duke theksuar se një pjesë e madhe e investimeve kapitale janë realizuar tashmë gjatë vitit 2025, në periudhën parazgjedhore, ndërsa pagesat për to do të rëndojnë buxhetin e vitit 2026. Ata kanë kritikuar gjithashtu ndarjen e mjeteve për punësime me kontrata, duke e cilësuar këtë si punësim të aktivistëve partiakë.
“Dëgjuam se buxheti është 45 milionë euro, ndryshe nga materialet fillestare që ishin 47 milionë. Në letër duket në rregull rritja e investimeve kapitale, por nga materialet që kemi pranuar shohim se bëhet fjalë për investime të realizuara në vitin 2025 gjatë fushatës zgjedhore, të cilat do të paguhen në vitin 2026. Gjithashtu, vazhdojnë punësimet me kontrata, ku janë ndarë rreth 570 mijë euro, që në total arrijnë deri në 2,5 milionë euro për kontrata të militantëve partiakë”, u shpreh Agron Arifi, këshilltar nga “Më mirë për Tetovën”.
Opozita ngriti gjithashtu shqetësime lidhur me mungesën e investimeve për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit, duke akuzuar udhëheqjen komunale se kjo trashëgimi po neglizhohet dhe po shkatërrohet, në vend që të mbrohet dhe promovohet. Gazete Flaka
















