“BUMERANG”: Boki 13 ka ngritur kallëzim penal kundër Ruskovskës, Zaevit dhe zyrtarëve të tjerë
Showmeni Bojan Jovanovski – Boki 13 ka ngritur kallëzime penale kundër disa ish zyrtarëve, drejtorëve, personave që mbanin funksione publike, gjyqtarëve dhe prokurorëve, përcjell FLAKA.
Ai tha se kallëzimet penale janë pjesë e një operacioni penalo-juridik “Bumerang”.
“Bëhet fjalë për krime që kanë të bëjnë me keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, parregullsi dhe mashtrime zgjedhore, financim të kundërligjshëm të partisë politike, keqpërdorim të prokurimit publik dhe mjeteve financiare, disa vepra për të cilat janë ngritur kallëzime penale”, tha Jovanovski.
Ai shtoi se kundër ish-drejtueses së Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, Villma Ruskovska, është parashtruar kallëzim penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pranim ryshfeti dhe torturë, kundër të gjithë sekretarëve të përgjithshëm të LSDM-së, si dhe kundër ish-kryetari i partisë dhe kryeministri Zoran Zaev.
Avokati i tij, Vlladimir Tufegxhiq, tha se provat janë në formë të mesazheve elektronike, të cilat Bojan Jovanovski do t’i sqarojë edhe me shkrim.
Rasti “Bumerang” ishte shpallur më shumë se një vit më parë në shkurt të vitit 2023. Më pas, kreu i Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, Islam Abazi, themeloi rastin dhe ia ngarkoi prokurorit kompetent i cili duhej ta merrte në pyetje Jovanovskin. Por, për shkak të gjendjes shëndetësore të Jovanovskit, seanca më pas u shty. FLAKA
















