BDI kritikon Qeverinë: Po i largon miqtë e sinqertë dhe po devijon nga rruga evropiane

Flaka
Botuar nga Flaka 2 Korrik, 2025 11:44 Përditësuar

BDI kritikon Qeverinë: Po i largon miqtë e sinqertë dhe po devijon nga rruga evropiane

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar përmes një kumtese ndaj sjelljes së Qeverisë gjatë vizitës së komisioneres për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, duke e akuzuar për mungesë mikpritjeje dhe dështim politik në ruajtjen e partneriteteve të rëndësishme ndërkombëtare.

Në një deklaratë për media, BDI thekson se komisionerja Kos është “një mike e sinqertë dhe e rëndësishme për vendin tonë”, jo vetëm për shkak të rolit të saj kyç në procesin e integrimit, por edhe për shkak të qasjes së saj të thellësisht evropiane në respektimin e dallimeve dhe veçorive etnike në Evropë.

“Në vend që Qeveria ta njihte këtë mundësi dhe t’i forconte këto lidhje, e humbi shansin për të shfrytëzuar samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Në mënyrën më negative, ajo demonstroi mungesë mikpritjeje dhe intolerancë – madje edhe ndaj miqve më të sinqertë të vendit,” thuhet në reagimin e BDI-së.

Kjo parti kritikon ashpër faktin që deklarata e komisioneres Kos – se “identiteti nuk është çështje e kushteve politike, por thelb i dinjitetit njerëzor dhe shprehje e veçantisë së tij” – u kthye në objekt fushate urrejtjeje dhe përqeshjeje në opinionin publik, një gjë që, sipas BDI-së, u nxit edhe nga burime afër pushtetit.

BDI vë në shënjestër Ministrin për Integrime Evropiane, Orhan Murtezani, për qëndrimin e tij pasiv përballë kësaj situate:

“Është tronditëse që Ministri për Integrime Evropiane nuk e pa të arsyeshme të mbrojë publikisht këtë qëndrim. Me heshtjen dhe relativizimet e tij, ai u bë pjesë e një qasjeje që rrezikon marrëdhënien me një prej zërave më të fuqishëm që mbështet rrugën tonë drejt BE-së,” thekson BDI.

Sipas kësaj partie, në një kohë të tillë kur vendi ka nevojë për udhëheqje të qartë dhe partneritete të qëndrueshme ndërkombëtare, heshtja përballë sulmeve nacionaliste dhe përçmimit të përfaqësuesve evropianë nuk është thjesht një gabim teknik, por një dështim i qartë politik.

“Ministri për Integrime ka një përgjegjësi thelbësore: të mbrojë kursin evropian, jo të heshtë kur ai sulmohet. Qytetarët meritojnë një përfaqësim më serioz në këtë proces, dhe miqtë tanë ndërkombëtarë meritojnë respekt, jo përçmim të organizuar nga brenda,” përfundon deklarata.

Ky reagim vjen në një moment kritik për Maqedoninë e Veriut, kur vendi ndodhet në një fazë kyçe të negociatave me BE-në, dhe çdo lëkundje në komunikimin diplomatik mund të ketë pasoja të mëdha për të ardhmen evropiane të shtetit.

Flaka
Botuar nga Flaka 2 Korrik, 2025 11:44 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.