Ekspertët: Qeveria e re duhet të zbusë inflacionin dhe në planin afatgjatë të rrisë produktivitetin ekonomik
Ekspertët e ekonomisë janë të shqetësuar për shumën e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, shifra të cilat i bëri të ditur guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska – Bezhoska, dje gjatë shpalljes së projeksioneve makroekonomike pranverore, përcjell FLAKA.
Borxhi prej 62 për qind në vetvete nuk është dramatikisht i lartë, por paralajmërimi i qeverisë së ardhshme për huamarrje të re është shqetësues, thotë profesori universitar Vanço Uzunov.
Uzunov pajtohet me guvernatoren se nëse qeveria merr hua, këtë duhet ta bëjë me institucionet, jo me shtetet, sepse skenarë të tillë nuk kanë qenë të suksesshëm në të kaluarën. Ai nuk është i befasuar nga norma e parashikuar e rritjes relativisht e ulët prej 2.6 për qind deri në fund të vitit, të cilën Banka Popullore e rishikoi dje në raport me 3 për qind të vjeshtës. Sipas profesorit të Fakultetit Ekonomik, qetësimi i inflacionit do të jetë sfida më e madhe për qeverinë e re.
Në planin afatgjatë, Qeveria duhet të punojë në ngritjen e produktivitetit të ekonomisë, në reformimin e arsimit për të siguruar fuqi punëtore më të kualifikuar, për të përmirësuar sistemin shëndetësor, për të ngritur aftësinë inovative, konsideron Uzunov. FLAKA
















