Javën e ardhshme do të dihet se kur do të mbahet kongresi i LSDM-së
Në ditën e dytë pas zgjedhjeve nuk ka asnjë informacion zyrtar nga LSDM-ja, se cilat do të jenë hapat e radhës pasi lideri Dimitar Kovaçevski paralajmëroi ristrukturim të plotë të partisë, si kadrovike ashtu edhe ideologjik, përcjell FLAKA.
Burime nga LSDM-ja bëjnë të ditur se nga java e ardhshme dinamika e proceseve do të jetë më e qartë. Së pari duhet të mblidhet Bordi Ekzekutiv, i cili do të udhëzojë Bordin Qendrore të caktojë kongresin e partisë, i cili do t’i referohet rezultateve të zgjedhjeve dhe ndryshimeve në të gjitha nivelet.
Pas disfatës katastrofike, historikisht më e madhja e partisë, disa prej drejtuesve të lartë partiakë deklaruan publikisht dorëheqjet e tyre, por burime nga partia sqarojnë se në fakt e gjithë kryesia është në dorëheqje deri në zgjedhjen e një të reje.
E fundit që ka reaguar ka qenë nënkryetarja e LSDM-së dhe drejtoreshë aktuale e DAP, Sanja Llukarevska, e cila në rrjetet sociale ka njoftuar se e pranon përgjegjësinë për humbjen në zgjedhje. Siç ka shkruar ajo, beson në LSDM dhe forcën e saj për të reformuar, bashkuar dhe përgatitur sa më parë, sepse Maqedonisë i duhet një LSDM e fortë. Paraprakisht dorëheqje nga postet e nënkryetareve kanë paralajmëruar Fatmir Bytyqi dhe Pero Kostadinov, ndërsa nga posti partiak ka dhënë dorëheqje edhe kryetarja e Forumit të Gruas, Jovanka Trençevska.
Mirëpo, disa nga anëtarët dhe zyrtarët e LSDM-së konsiderojnë se kryesia duhet të dorëzojë menjëherë dorëheqjet, e jo me dorëheqje të vonuara dhe të kushtëzuara. Drejtori aktual i TIRZ-it, Jovan Despotovski, emri i të cilit përmendet edhe si njëri nga kandidatët e mundshëm për liderin e ri të LSDM-së, në një prononcim për Kanal 5 ka thënë se përveç Kovaçevskit dhe gjithë kryesia, pret dorëheqje edhe nga bartësit e listave për deputet.
Despotovski ende nuk e ka konfirmuar nëse do të hyjë zyrtarisht në garën për kryetar në Bihaçka, pasi dy vite më parë nuk mori mbështetjen e mjaftueshme nga anëtarësia për të zëvendësuar Zaevin. Më pas u ndryshua statuti i partisë, kështu që tani kryetari i partisë zgjidhet nga të gjithë anëtarët, në zgjedhje të menjëhershme. FLAKA
















